Nëpërmjet Rezolutës, eurodeputetët kanë dënuar përdorimin e shpërpjesëtuar të forcës nga ana e autoriteteve të sigurisë, për thyerjen e protestave në sheshet Rabaa dhe Nahda që rezultuan në humbje tragjike jetësh, por gjithashtu edhe dështimin e Vëllezërve Muslumanë për të parandaluar dhunën popullore. Autoritetet e përkohshme dhe ushtria, theksohet në këtë Rezolutë, kanë për detyrë të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve në vend, pavarësisht pikëpamjeve dhe preferencave të tyre politike, duke bërë thirrje në këtë mënyrë për hetim të pavarur ndaj të gjitha vrasjeve të kryera.
Teksti bën thirrje gjithashtu edhe për transferim pushteti drejt autoriteteve civile, të zgjedhura në forma demokratike, sa më shpejt të jetë e mundur. Egjipti, duhet të zhvillojë zgjedhje presidenciale të lira dhe të drejta, nënvizojnë eurodeputetët duke theksuar se, ndalimi apo përjashtimi i çfarëdolloj force politike demokratike apo aktori në vend, mund të çojë vetëm në rritje të radikalizmit.
Rezoluta thekson gjithashtu, se reforma dhe procesi i hartimit të Kushtetutës, duhet të vendosin themelet për një Egjipt të ri demokratik, duke garantuar lirinë dhe të drejtat themelore, duke përfshirë edhe lirinë fetare për të gjithë qytetarët. Mbrojtja e minoriteteve, duke përfshirë Komunitetin Koptik dhe liria e grumbullimit, e shoqatave dhe medias duhet gjithashtu të garantohet./im.ta/