Djali i Remzi Hoxhës: Edi Rama, shpresa e fundit për zbardhjen e ngjarjes

93

kushtrim hoxhaNë një mesazh në rrjetin social Face book djali i Remzi Hoxhës, i drejtohet Kryeministrit  të ardhshëm Edi Rama, të hedhi dritë mbi dosjen e babait të tij. Kushtrim Hoxha, e quan një krim 19 vjeçar mos zbardhjen e ngjarjes. Hoxha shpreson se me ardhjen në pushtet të së majtës do të mund të mësojnë fatin e babait të tij. Pas fitores së 23 qershorit  përmes një letre të hapur, familja Hoxha, ka uruar fitoren e së majtës, duke e cilësuar si një fitore historike,  dhe shprehet se ‘tani kemi shpresë për të pasur një varr për njeriun tonë të dashur’. Është e dyta herë që familja Hoxha po i drejtohet Kryeministrit Rama për të hedhur dritë mbi historinë e zhdukjes së familjarit të tyre prej gati dy dekadash.

Historia e rrëmbimit

Më 21 tetor mbushen 19 vjet nga zhdukja e mistershme e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Remzi Hoxha sipas dosjes së prokurorisë u rrëmbye në rrugën “Siri Kodra”, afër një magazine që ndodhet tek zona e quajtur “Frigoriferi”. Persona civilë i kishin kërkuar atij që të shkonte me ta, dhe pasi e kishin futur në një automjet ai është transportuar në sekret të plotë, në bazën e SHIK në Lezhë. Pikërisht në këtë bazë, ishin shoqëruar edhe dy persona të tjerë shtetasi Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli, të cilët së bashku me Remzi Hoxhën sipas prokurorisë (pretendimet e akuzes ne fillim të procesit gjyqësor) u torturuan me metoda çnjerëzore, nga të pandehurit Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi.

Loshaj, është hedhur nga kati i tretë i godinës, dukë kërkuar të vetëvritet vetëm për t’i shpëtuar torturave çnjerëzore, ndërsa fati i Remzi Hoxhës, ende mbetet mister. Prokuroria ka ngritur dyshime se biznesmeni ka vdekur si pasojë e torturave dhe se trupi i pajetë i tij mund të jetë zhdukur nga të pandehurit në një vend që ende dhe sot nuk dihet.

Rezulton e provuar se Remzi Hoxha, është keqtrajtuar dhe torturuar. Një gjë të tillë e kanë deklaruar të dëmtuarit Ziso Kristopulli dhe Armando Loshaj, ku ky i fundit pretendon se në një moment e ka parë rastësisht shtetasin Remzi Hoxha duke kaluar në korridorin e ndërtesës ku mbaheshin të izoluar. Veprimet e secilit prej autorëve ndaj të dëmtuarve, i kanë shpjeguar me detaje vetë të dëmtuarit Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli, si dhe personat e tjerë që kanë qenë roje, apo i kanë shoqëruar të dëmtuarit në momente të caktuara. Sipas deklarimeve të të dëmtuarve; Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj, ata janë lidhur, keqtrajtuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe të vazhdueshme me mjete të forta, dhe i kanë detyruar si dhe u kanë diktuar që jashtë vullnetit të tyre të pranonin se: kishin kryer aktivitet armiqësor kundër Republikës së Shqipërisë, se ishin agjentë të zbulimeve të huaja, se kishin futur armë të llojeve të ndryshme dhe se i kishin shpërndarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë etj, etj. Nga materialet e administruara në dosje rezulton e provuar dhe dokumentuar se shtetasit Avdyl Loshaj, Ziso Kristopulli dhe Remzi Hoxha, janë rrëmbyer, izoluar, torturuar dhe u janë marrë deklarime për aktivitet të përbashkët kriminal, në të njëjtën periudhë kohore, në të njëjtin vend dhe nga të njëjtët persona. Kjo procedurë ka vazhduar derisa i është arritur qëllimit, marrja e deklarimit kompromentues për vetë të dëmtuarin dhe për personat e tjerë të menduar apo të imagjinuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale të përbashkët. Nga ky rrëmbim dhe mbajtja peng, shtetasi Avdyl Loshaj është liruar mbas një muaji, shtetasi Ziso Kristopulli mbas pesë ditësh, pasi në ndihmë të tij, për ta liruar nga ky rrëmbim dhe izolim, është vënë shtypi dhe media, të cilat e kanë publikuar rastin, aq më tepër që ai ishte minoritar dhe kryetar i Partisë Socialiste për Ksamilin. Mbas rreth 20 ditësh pas lirimit nga rrëmbimi i mësipërm, i dëmtuari Ziso Kristopulli ka shkuar në Greqi për t’u kuruar dhe sipas deklarimit të mjekut që e ka vizituar dhe i ka bërë radiografi të mushkërive ka rezultuar me dëmtim në mushkërinë e djathtë me një madhësi rreth 5 cm, ku sipas tij, ishte shkaktuar nga goditja, nga dhuna, nga ushtrimi i forcës fizike. I dëmtuari Ziso Kristopulli ka deklaruar se ka qëndruar në Greqi për rreth dy muaj për t’u kuruar.

Ndërsa shtetasi Remzi Hoxha nuk është lëshuar, por është mbajtur dhe mbahet peng deri më sot dhe nuk dihet për fatin e tij, pra rezulton i zhdukur pa asnjë gjurmë, megjithëse në mënyrë të vazhdueshme familjarët e tij e kanë kërkuar dhe vazhdojnë ta kërkojnë me këmbëngulje pranë organeve kompetente shqiptare.