Parlamenti Europian, monitorim të ligjeve kombëtare mbi mediat

65

european pressParlamenti Europian kaloi sot për votim një Rezolutë, e cila në thelb kërkon monitorim të lirisë së medias dhe pluralizmit. Monitorimi do të ketë një fokus mbi ndryshimet e ligjeve për mediat, të cilat mundësojnë dhe lehtësojnë ndërhyrjen e qeverive në to. Për ruajtjen e lirisë dhe pluralizmit në media, do të rishikohet edhe Direktiva mbi Shërbimet e Medias Audiovizive si edhe kërkohet përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve.

Sipas Rezolutës të përpiluar nga eurodeputetja rumune Renate Weber, që i përket grupit të Aleancës Liberale dhe Demokrate për Europën, do të kemi një monitorim vjetor të lirisë së medias dhe pluralizmit, në të tëra Shtetet Anëtare të BE-së. Kjo do të realizohet nga Komisioni Europian, Agjencia për të Drejtat Fondamentale, Instituti Universitar Europian, si edhe Qendra për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias. Monitorimi do të prekë të gjithë Shtetet Anëtare, nga ku do të dilet me një raport të përvitshëm, të shoqëruar edhe me rekomandime përkatëse.

Parlamenti Europian kërkon të ruajë pavarësinë e gazetarëve nga presionet e brendshme të publikuesve dhe nga presionet e jashtme të lobeve ekonomike dhe politike. Për redaktorët dhe gazetarët, karta editoriale apo ‘kodet e sjelljes’ janë shumë të rëndësishme për pavarësinë, pasi ato parandalojnë pronarët, qeveritë ose palët e treta të ndërhyjnë në përmbajtjen e lajmit, theksohet në Rezolutë.

Eurodeputetët rekomandojnë BE-në dhe shtetet anëtare të mbështesin gazetarinë investigative, pasi ajo monitoron demokracinë dhe zbulon veprat penale. Etika gazetareske duhet promovuar gjithashtu në BE, por organet rregullatore të medias duhet të jenë gjithmonë të pavarura dhe të krijuara nga sektori i medias në vetvete.

Direktiva mbi Shërbimet e Medias Audiovizive, do të rishikohet gjithashtu. Qëllimi i këtij rishikimi, theksohet të jetë hartimi i standardeve minimale, për ruajtjen e të drejtës fondamentale për lirinë e shprehjes dhe të informacionit, lirinë e medias dhe pluralizmin.

Ky rishikim duhet të përfshijë rregulla mbi transparencën e zotëruesve të mediave, përqendrimit të medias dhe konfliktit të interesit. Rregulla nevojiten gjithashtu për të drejtuar pajisjen me informacion politik, ndaj gjithë mediave audiovizive, për të garantuar akes të barabartë ndaj aktorëve politik të ndryshëm, opinioneve dhe pikëpamjeve të ndryshme, ‘në veçanti gjatë zgjedhjeve dhe referendumeve’.

Parlamenti i bën thirrje gjithashtu Shteteve Anëtare, të ndërtojnë garanci për ruajtjen e pavarësisë së këtyre organeve kundrejt influencës politike. Ajo çka kërkohet më konkretisht është zgjedhja në bazë të meritës dhe eksperiencës dhe jo sipas kritereve politikë të shefave të medias publike, bordeve të tyre të menaxhimit, këshillat e medias dhe organizmave rregullues.

Në përfundim, Parlamenti i kërkon Komisionit Europian të studiojë, se, si kriza dhe pasiguria e punës prek komunitetin e gazetarëve, me synim gjetjen e zgjidhjes,  ndaj impaktit dëmtues mbi lirinë e medias.