Pas takimit të presidentit Ilir Meta me kryetarin e opozitës Basha në Presidencë dhe mesazheve të përcjella nga ai takim, kryeministri i vendit Edi Rama i shoqëruar dhe nga numri dy i PS-së Taulant Balla u bëri të qartë se Kuvendit është sovran dhe mbi të nuk del askush.
Në një deklaratë për mediat, ai dënoi gjuhën e opozitës jashtëparlamentare dhe asaj presidenciale ndaj Parlamentit të Shqipërisë.
Kryeministri Rama: Komisioni i Ligjeve ka votuar fjalë për fjalë draftin e dakordësuar me opozitën jashtëparlamentare më 5 qershor. E kemi votuar me shumicë jo me konsensus se opozita joparlamentare refuzon të pranojë mosdepolitizimin e komisioneve të votimit dhe numërimit çka është lëshimi i madh i bërë nga PS jo me hirin e objektivave të vet por pahirin e një nevojë për ta përfshirë opozitën jashtëparlamentare në proces. Ndërkohë dje komisioni i ligjeve i ka hapur rrugë pjesëmarrjes së qytetarëve jo vetëm në zgjedhjen e partive por edhe dhënien e pëlqimit për deputetën apo deputetin. Jemi në mes të dy palëve si shumicë, kemi konsensus të plotë përt atë që këto palë më vete duan dhe nuk kemi konsensu për atë që këto dy palë më vete nuk duan. Ndërkohë reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe opozitës presidenciale ndaj kësaj nisme kushtetuese të kuvendit është i papranueshëm qoftë në aspektin etik, politik dhe kombëtar.
As opozita jashtëparlamentare, as opozita presidenciale nuk e vlerësojnë dhe as e respektojnë kuvendin e Shqipërisë, parlamentin e vendit por kjo nuk e ndryshon faktin që Kuvendi është sovran dhe në aspektin etik nuk është e denjë që Kuvendi të sulmohet, anatemohet, të përbuzet, qoftë nga institucioni i Presidentit, dhe këtë e them në radhë të parë se etika institucionale është baza e shkruar në çdo paragraf të parë të kapitullit të parë të çdo edukate shteti dhe qoftë nga vetë opozita jashtëparlamentare që zgjodhi të braktisë Kuvendin, zgjodhi ta zhvleftësojë me vendimin e vet sovran. Mund të zgjedhë ta përbuzë kuvendin por asgjë tjetër nuk mund të bëjë dhe nuk e shlyen nga përgjegjësia që ka lidhur me ata të cilët sot janë deputetë të opozitës në parlament.
Nuk i kam sjellë unë, as Taulant Balla, nuk i ka sjellë PS, i ka sjellë opozita jashtëparlamentare, ne na mbetet vetëm ta respektojmë çdo deputet të kuvendit në radhët e opozitës. Ne do ta diskutojmë me opozitën parlamentare detajimin e nismës kushtetuese dhe integrimin e saj në kodin zgjedhor pa cënuar asnjë pikë dhe asnjë presje të asaj çka në kodin zgjedhor do të integrohet si frut i marrëveshjes me opozitën jashtëparlamentare. Parlamenti është sovran dhe mbi parlamentin nuk është askush dhe nuk mund të dalë askush.Sot PS, shumica qeverisëse, ka konfirmuar edhe njëherë seriozitetin e plotë në zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar me 5 qershor për të cilën falenderoj miqtë dhe partnerët tanë, personalisht ambasadoren e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe për angazhimin dhe lehtësimin e një dialogu të vështirë.
Deklarata vjen pasi mazhoranca votoi në Komisionin e Ligjeve draftin e dakordësuar në 5 qershor me opozitën jashtëparlamentare dhe një ditë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese.