Sulme terroriste në dy xhami, vriten 40 besimtarë myslimanë

73

E premte e zezë ishte dita e sotme për myslimanët në dy xhami në Zelandën e Re, ku një person hapi zjarr ndaj besimtarëve duke lënë të vrarë rreth 40 persona dhe shumë të tjerë janë plagosur.

Pamjet, të cilat janë filmuar nga vetë autori, nga një kamer në kokë janë të tmerrshme.

Autori zbret nga një makinë, rrëmben nga bagazhi një kallashnikov dhe drejtohet drejt xhamisë, duke zbarazuar pa pushim armën dhe duke vrarë kë i del përpara.

Autori dyshohet se është një australian, i cili besohet të ketë shkruar një manifest që përshkruan synimet e tij. Në të, ai përkrah ideologjinë anti-emigrant.

Një i dëshmitar, i cili i mbijetoi sulmit i tha Televizionit të Zelandës së Re se pa një njeri të armatosur që po qëllonte personat. Sulmuesi thuhet se vuri në shënjestër fillimisht dhomën e lutjeve të meshkujve në xhami, pastaj u zhvendos në dhomën e grave.

Kryeministrja e vendit Jacinda Ardern e ka përshkruar këtë ngjarje si sulm terrorist dhe një nga “ditët më të rënda” për këtë vend.

Ajo ka thënë se katër persona tani janë arrestuar, të cilët dyshohet se kanë pikëpamje ekstremiste.

Komisionari policor, Mike Bush, ka paralajmëruar se të dyshuar të tjerë mund të jenë në arrati.

Autoritetet kanë këshilluar për mbylljen e të gjitha xhamive deri në njoftimin e radhës, duke thënë se ngjarja e së premtes ka qenë e pashembullt.