Shullazi dënohet me 14 vite burg

144

Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje (13 nentor) dënimin për Emiljano Shullazin dhe anëtarët e bandës së tij.

Shullazi dënohet përfundimisht me 14 vite burgim për disa vepra penale si ajo e krijimit të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa është shpallur i pafajshëm për kërcënimin ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe paraardhësit të tij, Dhori Kule.

Ai është shpallur fajtor për shtrëngim dhe kanosjen për dhënie pasurie në dëm të biznesmenit Ylvi Beqaj.

Nga shtatë akuza të ngritura nga Prokuroria, Shullazi shpallet fajtor për tre akuza.

Në vendimin e gjykatës thuhet se të pandehurit nuk përfitojnë lirim me kusht.

Prokuroria kërkoi në total 64 vite burg për bandën e Shullazit, ndërsa për vetë kreun e saj, Emiljano Shullazi kërkuan 17 vite burg.

Gjykata dha sot dënimin në total 55 vjet burg, 11 vjet burg më pak nga kërkesa e prokurorisë duke rrëzuar dhe disa akuza.

Ata do të kryejnë dënimin në një burgim të sigurisë së zakonshme, ndërsa masa e dënimit nis në momentin e arrestimit të tyre.

Avokatët akuzuan gjykatën se mori vendimin nën presionin politik.

Nga ana e saj Partia Demokratike theksoi se dënimi ndaj këtij grupi kriminal do të ishte më i rëndë nëse nuk do të kishte mbështetjen e qeverisë.

Dënimi për Emiljano Shullazin:

12 vjet për akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj”

10 vjet burg për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Jani Zaka, kryer në bashkëpunim”.

I pafajshëm për shkatërrimin e pronës me eksploziv në dëm të shtetasit Jani Zaka.

I pafajshëm për shtrëngim të dhënies së pasurisë për shtetasin Adriatik Kërçuku, pasi nuk provohet fajësia e tij.

I pafajshëm për shkatërrimin e pronës me eksploziv në dëm të shtetasit Adriatik Kërçuku.

Deklarimin e pafajshëm të Emiljano Shullazit të kanosjes për shkak të detyrës për shtetasin Mynyr Koni, pasi nuk provohet fajësia e tij.

Deklarimin e pafajshëm të Emiljano Shullazit të kanosjes për shkak të detyrës në dëm të shtetasit Dhori Kule, i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pasi nuk provohet fajësia e tij.

Deklarimin fajtor të shtetasit Emiljano Shullazi për grup të strukturuar kriminal, me 8 vite burgim.

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, për caktimin e dënimit për disa vepra penale, i pandehuri Emiljano Shullazi dënohet me një burgim të vetëm prej 14 vitesh burgim.

Gilando Dani 12 vite burgim:

11 vite burgim për akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj” në formë të grupit të strukturuar kriminal.

8 vite burgim “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Jani Zaka, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

4 vite burgim për deklarimin fajtor të të pandehurit Gilmando Dani për krijim të grupit të strukturuar kriminal.

I pandehuri Dani dënohet me një dënim të vetëm 12 vite burgim

Endrit Qyqja, 10 vite burgim:

10 vite burgim për akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj” në formë të grupit të strukturuar kriminal.

3 vite burgim për deklarimin fajtor të të pandehurit Endrit Qyqja për krijim të grupit të strukturuar kriminal.

I pandehuri Qyqja dënohet me një dënim të vetëm 10 vite burgim

Endrit Zela 10 vite burg

10 vite burgim për akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj” në formë të grupit të strukturuar kriminal.

3 vite burgim për deklarimin fajtor të të pandehurit Endrit Zela për krijim të grupit të strukturuar kriminal.

I pandehuri Zela dënohet me një dënim të vetëm 10 vite burgim

Blerim Shullazi 9 vite burg

9 vite burgim për akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Jani Zakaj në formë të grupit të strukturuar kriminal.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Blerim Shullazin për shkatërrimin e pronës me eksploziv ndaj shtetasit Jani Zakaj, kryer në bashkëpunim, pasi nuk provohet fajësia.

1 vit burgim për deklarimin fajtor të Blerim Shullazit për prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve.

2 vite burgim për deklarimin fajtor të të pandehurit Blerim Shullazi për krijim të grupit të strukturuar kriminal.

I pandehuri Blerim Shullazi dënohet me një dënim të vetëm 9 vite burgim

Procesi ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij zgjati 1 vit e katër muaj pas dërgimit të dosjes në gjykatë në korrik të vitit 2017