Dekomunistizimi i shoqërisë dhe çmitizimi i Enver Hoxhës

109

 

Kreu i PS Orikum, Artan Bedini
Kreu i PS Orikum, Artan Bedini

Artan Bedini

Në çdo fundjavë si shumë të tjerë besoj, bëj një vizitë në shtëpinë e prindërve në fshat për t’i parë apo përshëndetur meqë edhe kohën tashmë për të qëndruar me ata gjatë javës nuk e kemi, por edhe për të argëtuar gjysherit me nipërit dhe mbesat por edhe këta te fundit me gjyshërit e tyre, duke bërë të mundur kështu të krijohet ajo lidhja tradicionale shqiptare midis tyre.

Prindërit jetojnë në një shtëpi modeste, ajo shtëpia që ata trashëguan nga prindërit e babait, e rregulluar me aq sa ata kanë mundur këto vitet e fundit por për ne fëmijet e asaj “rrënje” vazhdon të mbetet një si tip ”qendre graviteti” që sa vjen dhe e shton tërheqjen e saj gravitacionale.

Si në cdo shtëpi biseda e parë me prindërit bëhet në sallon dhe mbas fjalëve të para të “kortezise”me ne të rriturit, interesi i tyre shkëputet dhe përqëndrohet te nipi dhe mbesa, kjo më jep mundesinë të jem më i lirë dhe të merrem me ndonjë gjë tjetër.

Një lidhje instiktive më tërheq drejt bibliotekës modeste e cila është aty që kur unë mbaj mend veten time. Afërsisht librat më janë të njohur por është diçka si instiktive t’i hedh një sy mos ndoshta im atë “e ka lëshuar dorën”dhe ka blerë ndonjë libër të ri veç atyre që kam blerë unë, por kjo gjë ndodh shumë rallë kryesisht për shkak të palirshmërisë ekonomike të tij dhe kjo është tërësisht e kuptueshme nga ne si fëmijet e tij duke ditur të ardhurat e tij modeste.

E megjithatë biblioteka e tij pasurohet me goxha libra cilësorë nga ana e fëmijeve të tij si për t’i lënë të kuptojë që kjo bibliotekë ka vetëm një rrugë dhe kjo është rruga e pasurimit të saj.

Në njërin nga raftet e saj është një brez vishnjë librash që edhe këta janë aty që kur unë e mbaj mend veten time.

Në fakt u ka rënë ai shkëlqimi i kopertinës që i bënte të dukeshin si të kuq por ata vazdojnë të jenë të rjeshtuar sipas numrit rendor të veprave, si për të të kujtuar seicila vepër një vit nga ata të asaj kohe,në përfundim të tyre janë librat e “Xhaxhit” më të pakta në numër por po aq të shëndritshme në kopertinë si dikur, sepse me sa duket im atë “kujdeset” më shumë për ato.

Në atë çast mu krijua një lidhje midis këtyre librave, “xhaxhit”,dhe debatit më të fundit pothuajse në cdo media për dekomunistizimin e shoqerisë dhe çmitizimin e Enver Hoxhës.

Në vitet e para të demokracisë ne si femijë i kërkuam t’i digjte babai këto libra por ai “vendosi veton”duke thënë se unë i kam blerë vetë, dhe ju ska për tu gjetur gjë nga këto, mi lini mua dhe po patët interes më vonë këtu i kini, dhe kështu pas hezitimit të babait ata qëndrojnë aty në qetesinë e tyre duke mos më ngacmuar por thjesh per të më kujtuar se ne vazhdojme te jemi këtu qoftë edhe si pikë referimi për ndonjë debat të mundëshëm në të duhemi.

E vërteta është që unë librat e Enver Hoxhës i kam lexuar të gjithe, disa më herët dhe të tjerë tani vonë, për kulturë por edhe për të argumentuar në ndonjë debat me ndonjë prej nostalgjikëve të atij sistemi.

Tani do të futem më në temë për të lidhur gjithë këtë që përshkrova me aktualitetin.

Duke hequr një portret të Enverit nga ndonjë tubim, duke djegur një libër të tij apo duke i fshirë emrin nga ndonjë rrjesht i ndonjë shkrimi, siç u bë dikur me Mehmet Shehun, duke sharë në media çdo gjë dhe çdokënd të asaj periudhe nuk besoj se arrijmë ndonjë diçka, thjesht acarohet dhe i jepet mundësia të shtojë radhet ajo pjesë e shoqërisë që ka nostalgji për atë periudhë dhe për arkitektin e saj, aq me pak arrijmë të dekomunistizojmë shoqërinë.

Pothuajse të gjithë njohim njerëz që kanë simpati për atë sistem për rrjedhojë edhe për Enver Hoxhën, ashtu siç ka të tjerë që i urrejnë në ekstrem këto të dyja, por kur debaton me sipatizantët seicili të jep një argument se përse e simpatizon akoma dhe për ta ilustruar këte po jap disa shembuj:

atehere isha saldator në uzinë sot pa punë edhe pse punëtor krahu’’, ”u bëra operim nga zemra pa asnjë lekë sot nuk marr as guximin të shkoj po nuk i pata xhepat plot”, ”rendi dhe siguria ishin të sigurta sot nuk e dallon kush është keqbërësi dhe kush punonjësi i rendit”, ”dje deshmorët e familjes time nderoheshin sot as do t’ia dije njeri dhe aq më keq interesohen dhe dëmshpërblehen familjare kolaboracionistësh apo bashkpunetorësh të fashizmit”,në thelb të tjera pakënaqësi si për arsimin e fëmijëve, tekstet mësimore, administratën, politikanët e vënë në shërbim të të huajve, abuzimin me pasurinë kombëtare, shitjen e territorit fqinjëve etj,etj të cilat këta nostalgjikë i lidhin me atë system dhe me E. Hoxhën.

Të gjitha këto në esencë të tyre janë pakënaqësi të mirëkuptueshme por që të ulet kjo listë pakënaqësish dhe për rrjedhojë edhe simpatizantët e komunizmit dhe të “xhaxhit”besoj se ka vetëm një rrugë:është rruga e ndërtimit të shoqërisë me arsim më të mirë,me ekonomi më të mirë,me rend më të mirë,me një ushtri me të aftë,me politika sociale më të drejta,politikanë më të devotshëm për vendin e tyre,administrate shtetërore më të aftë etj etj.

Natyrisht që nevojiten edhe levizje të tjera,si studimi në shkolla i asaj periudhe,duke e parë atë periudhe me objektivitet me të mirat (se besoj do ketë patur dhe ndonjë të tillë) dhe të këqiat e saj,kthimi i burgjeve të diktaturës në muze të memories,hapja e dosjeve dhe lustracioni gjithashtu i shërbejnë dekomunistizimit,por të gjitha këto të bëhen nga njerezit e duhur dhe me transparencë.

Realizimi i këtyre nismave do clirojë publikun nga disa fytyra që kanë uzurpuar televizionet,të cilët cirren dhe shajnë atë periudhe me vënd e pa vënd pavarësisht se disa prej tyre janë fëmije kolaboracionistesh dhe duan reabilitimin e prindërve të tyre,apo të tjerë bashkëpunëtorë të ish sigurimit të asaj kohe.Edhe dalja e këtyre tipave në television i irriton dhe i shton rradhët e nostalgjikëve të asaj kohe.

Arritja e këtyre objektivave do të bëjë që natyrshëm të ulen radhët e nostalgjikëve të atij sistemi dhe të c’mitizohet natyrshëm figura e E.Hoxhës por edhe e ndonjë tjetri,dhe të arrihet një dekomunistizim edhe më i thelle i shoqërisë.

Iniciativat e sforcuara nuk kanë asnjë rezultat,mosreagimi në kohë gjithashu dhe shembulli konkret është shumë afër mjafton ti hedhësh një sy Greqisë fqinje ku e majta ekstreme është shumë afër në ide me ato komuniste mbizotëron në sondazhet e publikuara në mediat fqinje dhe nuk është fare cudi që të vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhëshme.