Bushati u shpreh se, ka ambasadorë që i shkruajnë kryeministrit Rama se përse merret “me Ruçin dhe pinjollët e komunizmit”, ashtu sikurse bëri të ditur se ka edhe nga ata që i shkruajnë Berishës dhe i thonë “marsh nga ditët tona”.
Ministri tha se, shërbimi diplomatik deri më tani ka qenë një strukturë e fryrë, ndërsa shtoi se a pasur një rritje artificiale të gradave. “Gjeta qarkore në ministri se si diplomatët duhen trajtuar nga opozita.”
Për këtë, Bushati tha se, qeveria është duke përgatitur ligjin e ri për Shërbimin e Jashtëm, i cili do t’i japë fund diplomacisë partiake, që ka mbizotëruar për shumë vite.
“Sot, kemi 182 diplomatë dhe mbi 60% e tyre janë graduar me nivele më të larta se posti që mbartin, për të vetmen arsye se janë bashkëshort, apo farefisnor të partisë që ishte para 9-të muajsh në pushtet. Sot, kemi ambasadorë dhe për këtë kam prova konkrete që lëshojnë parulla politike në dëm të imazhit të vendit dhe pro interesave partiake që mbartin, ndaj kjo duhet të përfundojë”, veçoi ministri.
“Në të gjithë vendet e botës sistemi i gradave është në formë piramidale, pra kush është në pozicion më të lartë ka gradë më të lartë. Në vendin tonë piramida është kthyer mbrapsht, pasi kemi dy persona që kanë të njëjtën kohë punë në shërbimin e jashtëm dhe njëri ka grada dhe bonuse, pasi është pjesë e partisë ndërsa tjetri jo dhe kjo është në shkelje të plotë më ligjin, prandaj dhe kam shfuqizuar të gjitha bonuset që do hynin në fuqi brenda janarit 2014.”