Në funksion të reformës së pensioneve, e cila do të zbatohet në ditën e parë të vitit të ardhshëm, Veliaj tha se është shumë e rëndësishme që kontributet e sigurimeve shoqërore të paguhen në bazë të pagave reale nga të gjithë.Gjatë vizitës së tij në fabrikën e fasonit “Cotonella” në Shkodër, ministri Veliaj vuri në dukje se stabilizimi i skemës së pensioneve është detyra kryesore e reformës që po harton Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
“Është shumë e rëndësishme që, me skemën e re e cila do të zbatohet nga janari 2015, të gjitha bizneset duhet të paguajnë të plota, me pagat reale, kontributet e punëtorëve. U bëj thirrje bizneseve që të bashkëpunojnë me qeverinë, sepse përndryshe do të ketë masa ndëshkimore. U bëj thirrje sindikatave dhe grupeve të punëtorëve, të mos pranojnë të deklarojnë një pagë më të ulët për sigurimet shoqërore sepse do ta vuajnë pasi të dalin në pension”, deklaroi Veliaj.
Ai theksoi se me skemën e re të pensioneve shpërblehen ata që kontribuojnë. Që do të thotë se kush kontribuon më shumë, merr më shumë, e kush kontribuon më pak, merr më pak. Për ata që nuk kontribuojnë asgjë në skemë, është parashikuar pensioni social; një skemë e ngjashme me ndihmën ekonomike.
Duke u fokusuar tek paketa e re fasone,Veliaj tha se ajo do të shpallet brenda muajit. “Kjo paketë ka fondin e punësimit, prej 2.7 milion dollarë, e cila do të jepet në formë grantesh për kompani si ‘Cotonella’ apo biznese që punësojnë masivisht shqiptarë për t’i paguar sigurimet shoqërore. Sot patriotizmi kërkon të konsumojmë sa më shumë produkte shqiptare”, shtoi Veliaj, duke nënvizuar se modeli i shkollës “Peter Mahringer” në Shkodër do të ndiqet edhe në Tiranë, me hapjen e një shkolle të re në shtator për teknologjinë e informacionit. Po ashtu, në bashkëpunim me qeverinë austriake po negociohet transferimi i sigurimeve për kontributet e emigrantëve.
I pyetur pse qeveria po i kushton më shumë vëmendje investimeve në jug të vendit, ministri Veliaj sqaroi se edhe për veriun po bëhen shumë investime. “Dje patëm një vendimmarrje të rëndësishme për qarkun e Shkodrës, ku fondi i zhvillimit të rajoneve do të financojë pedonalen e Velipojës, në qytet po merr financim të konsiderueshëm rehabilitimi i bllokut të pallateve që njihen si ‘Pallatet e Vaut të Dejës’, si dhe rruga e Plavës. Në këtë sens gjykoj se kjo qeveri është e të gjithë shqiptarëve”, tha Veliaj. Ndërkaq, në 16 prill, në Kukës, në 15 vjetorin e eksodit kosovar, qeveria ka organizuar një sërë aktivitetesh për të përkujtuar këtë ditë të rëndësishme të ribashkimit mes dy vendeve.