Maskat, terror ndaj familjes së një tregtari karburantesh

56

Grabitje-me-maska-e-armeFamilja e një tregtari karburantesh në Vlorë është terrorizuar nga tre persona të maskuar dhe të armatosur që hynë në shtëpinë e tij për ta grabitur. Të maskuar dhe të armatosur, grabitësit kanë hyrë në shtëpinë e një 50-vjeçari, në lagjen “15 Tetori”, mbi spitalin e këtij qyteti. Ata kanë lidhur tregtarin dhe gruan e tij dhe nën kërcënimin e armëve kanë vjedhur gjithçka me vlerë. Pas grabitjes, ku mësohet se kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash, ata janë larguar duke qëlluar me armë, ndërkohë që policia nuk ka rënë ende në gjurmët e tyre.

Burimet zyrtare të Policisë së Vlorës bënë të ditur se rreth orës 22:15 të së martës, në sallën operative është marrë njoftim për një grabitje me armë. Policia është njoftuar se ngjarja i ka ndodhur 50-vjeçarit Halim Sinaj. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbime të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë kontaktuar me familjen e dhunuar dhe të grabitur. Tregtari i karburanteve ka treguar për uniformat blu se tre persona me maska dhe armë i kanë hyrë në shtëpi, duke neutralizuar dy bashkëshortët që ndodheshin brenda. Sipas të dëmtuarve, me armën në kokë, ata i kanë lidhur dhe kanë nisur të kontrollojnë në gjithë banesën për të grabitur, duke marrë një sasi të madhe parash.

Grabitësit e maskuar, të cilët u drejtoheshin shokëve me pseudonime dhe që në asnjë moment nuk kanë hequr dorezat dhe kapuçët, mësohet se kanë bastisur shtëpinë e tregtarit për rreth 20 minuta. Pas grabitjes, ata janë larguar me një makinë, ndërkohë që kanë qëlluar me armë automatike në ajër. Policia e Vlorës ka bërë rrethimin e zonës për gjetjen e autorëve. 50-vjeçari Sinaj merrej me tregti karburantesh prej disa vitesh dhe pikërisht për këtë arsye mendohet se është bërë objekt i grabitësve. Policia ka dyshime se autorët kanë njohje me tregtarin e grabitur, kështu që hetimet kanë nisur që nga rrethi i tij shoqëror.

Policia tha se për këtë ngjarje ka shoqëruar disa të dyshuar, të cilët janë marrë në pyetje si persona që mund të ndihmojnë për rrethanat e ngjarjes, por edhe si të dyshuar për krimin e rëndë. Megjithatë, deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar nga policia e qytetit bregdetar për ndalimin e ndonjë të dyshuari për grabitje me armë dhe dhunë. Grupi hetimor tha se ka sekuestruar edhe disa gëzhoja, të cilat i ka gjetur pranë vendit të ngjarjes dhe dyshohet se janë qëlluar nga autorët e grabitjes. Gëzhojat janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës për të gjetur ndonjë gjurmë të mundshme dhe për të verifikuar nëse armët e përdorura nga grabitësit janë përdorur në ndonjë krim tjetër.