Rokanas: Shqipëria i takon Europës dhe Greqia e përkrah integrimin e saj

57
Ambasadori i Greqise, Leonidas Rokanas
Ambasadori i Greqise, Leonidas Rokanas

Në qytetin e Fierit, është kthyer në një traditë që në ditët e festave kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në Sheshin qëndror “Europa”, të qytetit të ngrihet flamuri i vendit përkatës. Është një mesazh simbolik por dhe domethënës që u përcillet këtyre vendeve për t’u treguar se Shqipëria është në Europë dhe i takon Europës.

Të premten, në Sheshin e këtij qyteti, me rastin e festës kombëtare të Greqisë, në prani të Prefektit të Qarkut, të Kryetarit të Këshillit të Qarkut, të Kryetarit të Bashkisë, të Këshilltarit të Kryeministrit për çështje kulturore, të ambasadorit Grek në Tiranë dhe të shumë të pranishmëve, u ngrit flamuri i Greqisë.

Në takimin që u zhvillua në Bashkinë e qytetit të Fierit me pjesëmmarjen e Këshilltarit të Kryeministrit, Fate Velaj, të Prefektit Xhevit Bushaj, të Kryetarit të Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreko, të deputetes Adelina Rista dhe të ambasadorit të Greqisë, Leonidas Rokanas, Kryebashkiaku, Baftjar Zeqo foli për rëndësinë që ka për Fierin forcimi i marrëdhënieve me Greqinë, ku punojnë shumë emigrantë nga ky Qark, për bashkëpunimin e deritanishëm të Bashkisë së Fierit me Bashki homologe në Greqi dhe ftoi biznese greke për investime në Fier, ku do të gjejnë një ambient mikpritës. Aktivitete kulturore ne Bashkine e Fierit (1)

Këshilltari i Kryeministrit për çështje kulturore, Fate Velaj ju referua në fjalën e tij, rëndësisë që kanë aktivitetet kulturore në njohjen reciproke të popujve dhe në forcimin e marrëdhënjeve mes tyre.

Ndërsa ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas theksoi në fjalën e tij se marrëdhëniet dypalëshe njohin një zhvillim të ri në shumë fusha dhe premtoi se do të bëjë ç’është e mundur për të sjellë investitorë grekë në Fier.

Greqia, vazhdoi ambasadori, që në Samitin e Selanikut të vitit 2003 dhe deri tani që ka presidencën e B.E ka përkrahur dhe do të përkrahë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian, sepse Shqipëria i takon Europës. Jo vetëm Shqipëria, theksoi ambasadori, mund të përfitojë prej Europës, por edhe Europa mund të mësojë prej Shqipërisë, mund të mësojë prej traditës shqiptare të bashkëjetesës dhe të harmonisë ndërfetare, që është me të vërtetë një vlerë e çmuar.