Thaçi: Koha e gjenocidit, dhunës dhe tokës së djegur në Kosovë, nuk mund të tolerohej

57

Hashim-Thaci-Kosovo-PMKryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në tubimin përkujtimor me rastin e 15 vjetorit të masakrës së Izbicës, në komunën e Skenderajt.

“15 vjet më parë, Kosova ishte duke përjetuar orët më të rëndësishme në historinë e saj moderne. Kosova kishte hyrë në vitin e dytë të luftës së përgjithshme çlirimtare. E vendosur si asnjëherë më parë,  për të fituar lirinë dhe pavarësinë e ëndërruar brez pas brezi”, u shpreh ai.

Kryeministri Thaçi theksoi se, për herë të parë bota demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, konkretisht u vunë në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës, u vunë në mbështetje të çlirimit të Kosovës, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, NATO, u angazhua me fushatën e bombardimeve mbi caqet ushtarake dhe policore serbe. Duke dëshmuar se koha e gjenocidit, dhunës dhe tokës së djegur në Kosovë, nuk mund të tolerohej dhe durohej edhe më tutje”, tha ai.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vijoi Thaçi, kishte kaluar dy vjet nëpër beteja të mëdha dhe ofensiva duke dëshmuar se është ushtri e dalë nga gjiri i popullit.

“Forcat policore, ushtarake, paramilitare serbe, të gjendura përpara vullnetit të pamposhtur të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, përballë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bombardimeve të NATO-s, në muajt mars, prill dhe maj 1999, filluan ushtrimin intensiv të terrorit dhe vrasjeve të popullsisë civile”, tha ai.

Kryeministri Thaçi shtoi se, në ditët e fundit të sundimit të Kosovës, makineria e Millosheviçit me nervozë dhe brutalitet e intensifikoi thellimin e krimit mbi njerëz të paarmatosur.

“Ndodhi krimi në Therandë, në Krushë të Madhe, në Krushë të Vogël, në Izbicë, në Qyshk dhe shumë krime tjera. Fëmijë moshash të ndryshme, pleq të moshave të thella, burra, gra, djem e vajza të reja të gjitha moshat po paguanin një çmim të lartë për lirinë e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës tha se, vrasja e 150 personave në Izbicë, 150 qytetarëve, këtu e 15 vjet më parë, kishte tronditur zemrat njerëzore, kishte tronditur Uashingtonin, Brukselin dhe të gjitha kryeqendrat e botës.

“Sot, Kosova është shtet i konsoliduar dhe po forcohet çdo ditë e më tepër. Ne po rrumbullakojmë shtetformimin, kemi fituar njohje ndërkombëtare. Kosova më këtë vullnet me këtë sakrificë, me këtë vizion, gjithmonë duke respektuar vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vlerat e sakrificës së çdo qytetari të Kosovës, do të zhvillohet dhe do të anëtarësohet edhe në NATO, Bashkimin Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, theksoi kryeministri Thaçi.