Komisioni i Ligjeve debate për rendin e ditës, opozita braktis mbledhjen

66

komisioni-ligjeve-xhafajOpozita braktisi dje mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Shkak i debateve të djeshme në këtë komision, të cilat çuan në largimin e opozitës, ishte vendimi për të hequr nga rendi i ditës i amendamenteve për Kodin Penal dhe diskutimi i kandidatëve për komisionerë të Avokatit të Popullit. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj theksoi se heqja e amendamenteve u bë për shkak se komisionet e tjera parlamentare nuk kanë sjellë amendimet e tyre në lidhje me draftin. Por nënkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi tha se është e papranueshme të shtyhen amendamentet e Kodit Penal, ndërkohë që sillet në axhendë një çështje pa u konsultuar. “Është e disata herë që thyeni rregulloren, dhe rasti më flagrant i thyerjes së rregullores është shkarkimi i kryetares së ILDKP-së”, – theksoi Bylykbashi. Xhafaj sqaroi se pika e futur në rend dite ishte pjesë e kalendarit të punës por kjo nuk pengoi opozitën të largohej.

Pas daljes nga komisioni, në një prononcim për mediat, Bylykbashi akuzoi Xhafajn se ka ndryshuar rendin e ditës pa u konsultuar me kryesinë e komisionit. I pyetur dhe për shtyrjen që iu bë ligjit “Për Nëpunësin Civil”, ligjvënësi demokrat tha se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një thyerje të procedurës. “Në fakt Komisioni i Ligjeve nuk e kishte për asnjë moment në kalendarin e miratuar pardje, këtë çështje. Kjo është një shkelje flagrante dhe nga ana tjetër Edi Rama përpiqet që ta shesë si një konsensus ose si një kartë mirëbesimi në pritje të diskutimeve konsensuale. Edhe në këtë rast i intereson mesazhi fals që i japin publikut por ndërkohë që e vërteta është krejt e ndryshme. Në lidhje me çështjen e nëpunësit civil, i vetmi konsensus që vlen është ai i datës 30 maj 2013. Çdo gjë tjetër është thyerje e saj”, – theksoi ai.

Debatet në Komisionin e Ligjeve Oert Bylykbashi: Ju informuat sot komisionin për ndryshimin. Sipas kalendarit sot ishte një çështje tjetër. Është e papranueshme që duke thyer rregulloren në mënyrë të vazhdueshme ne sot na avancon një çështje dhe sillet pa paralajmërim, pa konsultë mes kryetarit e nënkryetarit. Kjo është e disata herë që thyhet rregullorja nga ju zoti kryetar. Mund tu përsëris disa raste, si shqyrtimit i relacionit për AMA-n, rasti flagrant për shkarkimin e kreut të ILDKP-së kur nuk mbeti germë e rregullores pa u shkelur. Seanca të ndërpritet këtu.

Fatmir Xhafaj: Isha në dijeni të faktit që zoti Bylykbashi kishte këtë vërejtje dhe donte ta bënte publike. Kalendari vendoset me këshillim ndërsa mbledhjen e thërret kryetari. Unë u kërkova ndjesë anëtarëve që janë njoftuar dje për përmbajtjen e mbledhjes. Por për tu përgatitur për këtë çështje dokumentet kanë 3-4 muaj në Kuvend.

Arben Ristani: Kemi miratuar një kalendar. Jemi të gjithë këta burra këtu, si mund të ndryshoni axhendën?

Fatmir Xhafaj: Nuk është jashtë kalendarit.

Arben Ristani: Pse na heq të drejtën të marrim pjesë.

Fatmir Xhafaj: Nuk doje të merrje pjesë. Iku ajo u votua…

Oert Bylykbashi ndërsa largohet: Ke shkelur rregulloren. Po heq hapësirën e opozitës në Parlament. Bashkim Fino: Po mos ikni ore rrini. Oert Bylykbashi: Kot se merrni komisionin e ta çoni tek selia, atje ku zgjodhët edhe Avokatin e Popullit.

Bashkim Fino-Tahir Muhedinit: Pse na i le negocimin në mes?

Tahir Muhedini: Ç’të bësh!