Berisha: Ua rrëzoj qeverinë me 5 mijë protestues

51

Berisha-ne-KuvendKryeministri, Sali Berisha i ka bërë thirrje qeverisë që të tërhiqet nga vendimet “antikushtetuese” dhe vendimet “e padrejta”. Berisha vuri theksin tek vendimi për heqjen e licencave për transportin e qytetarëve për furgonët. Ai akuzoi qeverinë se po lë pa të ardhura “20 mijë familje”, me synimin për të vënë kompani monopol që kanë lidhje me qeverinë.

Ish-kryeministri u bëri thirrje drejtuesve të koalicionit qeveritar që të tregohen të kujdesshëm me pushtetin që morën nga zgjedhjet e 23 qershorit të vitit të kaluar sepse sovrani mund t’ua marrë sërish atë që ua dha me votë.

“A e dini ju mor zotërinj, ai sovran që është aty, ai sovran që po proteston aty (para Kuvendit), ai që ishte në protestë më 20 shkurt, e bën pluhur brenda pesë minutash. Dëgjojeni mirë këtë që u them unë.”

I frymëzuar nga protestat në Ukrainë që sollën rrëzimin e pushtetit të Viktor Janukoviçit, Berisha kërcënoi në sallën e Kuvendit me trazira popullore.

“U dëgjova të bënin komente se ishin 5 mijë dhe jo 150 mijë. Por, a e dini ju se 5 mijë nuk ka polici në botë që t’i përballojë. Po ju jeni naivë. A e dini ju se me 5 mijë nuk matet dot asnjë polici”, u shpreh Berisha.

“Ne u themi këtu se këto veprime kanë një potencial të jashtëzakonshëm destabilizimi për vendin. Ne i themi këtu atij të cilit votat nuk i mori si energji pozitive për veten e tij, por si shuplakë ndaj nesh. I themi se kjo politikë është antikombëtarë, antiqytetare, antiintegrim. Por ju nuk keni interes integrimi por vetëm interesa pasurimi. Atëherë çfarë mbetet çfarë na lidh ne me ju. Ne nuk bllokojmë dot vendimet tuaja. Në rast të kundër do na detyroni të shkojmë aty ku nuk kemi dashur”, përfundoi ish-kryeministri.