Në prokurori 10 ish-drejtues të ALUIZNI-t

56

prokuroriaJanë vënë në akuzë për shkelje në dosjet e legalizimit 10 ish-drejtues të ALUIZNI-t në Elbasan. Dëmi ekonomik që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit llogaritet të jetë në rreth 4 milionë dollarë. Shkeljet janë zbardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka ushtruar auditim në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Elbasan 1, për periudhën e veprimtarisë Janar 2011-Shtator 2013. Nga auditimi i kryer, u konstatuan një sërë shkeljesh në drejtim të zbatimit të procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje.

Në mënyrë të përmbledhur, shkeljet kryesore janë: në 167 dosje legalizimi, është konstatuar një diferencë e madhe e sipërfaqes për legalizim me sipërfaqen e legalizuar, e cila përbën një të ardhur të munguar në Buxhetin e Shtetin për Fonnë  din e Kompensimit të Ish-Pronarëve, në vlerë 412,442,529 lekë (ose mbi 4 milionë dollarë), veprim ky në kundërshtim me nenet 17, 19 dhe 20 të ligjit nr. 9482 mbi Legalizimin e Zonave Informale. Sipas KLSh-së, disa dosje legalizimi janë dhënë jashtë kondicioneve urbane, pranë rrugëve dhe linjave të hekurudhave, në kundërshtim me legjislacionin ne fuqi, ndërsa në disa raste të tjera legalizimet janë dhënë brenda Studimit Urbanistik të Qendrës së qytetit.

Gjithashtu, grupi i Auditimit i KLSH-së ka rekomanduar një sërë masash organizative, ndër të cilat, kërkesa që Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të fillojë procedurat për shfuqizimin e lejeve të legalizimit, për objektet e pajisura me leje legalizimi, si dhe për ato që kanë lidhur kontratat, në kundërshtim me ligjin. Sipas njoftimit të KLSh-së, mësohet se ky institucion ka kërkuar të saktësohet, kontabilizohet dhe të kërkohet në rrugë ligjore sa më shpejt që të jetë e mundur, arkëtimi i vlerës 412,633,988 lekë, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera ligjore në të gjitha shkallët e gjykimit.