Ditën e sotme kanë qenë drejtuesit e furgonëve në aksin rrugor Tiranë – Elbasan, ata të cilët janë mbledhur dhe kanë protestuar kundër vendimit të marrë nga qeveria mbi transportin e shërbimit 8+1.
Drejtuesit shprehen të bindur se protesta e tyre jo vetëm që do të vazhdojë, por do të përshkallëzohet me çdo lloj forme të mundshme, nëse gjen zbatim vendimi për largimin e shërbimit 8+1 dhe kthimi i tyre në vendet e nisjes pa pasagjerë.
“720 drejtues furgonësh në prefekturën e Tiranës të linjave me qytete të ndryshme ende nuk kanë nisur punën. Më 26 shkurt do të zhvillojmë një grevë dhe më pas do të vendosim për grevën e përgjithshme. Gjendja ekonomike është rënduar, kërkojmë të punojmë, të ikim e të kthehmi me furgonët me pasagjerë”, u shpreh njëri nga protestuesit.
Drejtuesit I kanë kërkuar qeverisë që të luftojë informalitetin dhe te lejojë drejtuesit me liçencë dhe që paguajnë taksat që të vazhdojnë punën e tyre.
“Punën tonë e kemi gjetur vetë, nuk na e ka gjetur shteti, ne i paguajmë shtetit detyrimet që na kërkon”, u shprehen drejtuesit.