15 fjalë për pseudofeminizëm

66

gridafalsArtan Lame

Me shpejtesi rrufeje u përhap përmes “Facebook”-ut një foto nga pas, e një femre me fustanin futur mes bythësh. Shpjegimi ishte: “Kjo është kandidatja e PD për Durrësin, Grida Duma”. Brenda pak orësh fotografia u përhap në qindra statuse dhe me mijëra komente. Pastaj prej fb udhëtoi nëpër gazetat online, nga më të voglat deri tek më të rendësishmet. Edhe këtu, qindra mesazhe. 1. Askush në qindra “share” që ju bënë fotos, nuk vrau mendjen të verifikonte në ishte personi në fjalë a dikush tjetër. 2. Askush midis tufës së gazetave “on line” nuk vrau mendjen të verifikonte nëse lajmi që po fuste në gazete ishte i vërtetë a fals, ai fabrikuar “ad arte”. 3. M’u deshën 2 minuta kërkim në “Google” për të gjetur që fotografia nuk kishte të bënte fare me kandidaten e Durrësit. Gjë që nuk e bënë as gazetat e as “share”-llinjtë. 4. Ose e bënë dhe, megjithëse ishin të qartë se ajo nuk ishte kandidatja, vazhduan me perversitet ta denigrojnë. 5. Personalisht jam përballur disa herë ndër debate televizive me Gridën dhe kam bërë be që s’dal më me të në debat, sepse me të nuk funksionon debat e argument, por veç përsërit si papagall rreshtin e frazave që i kanë mësuar përmendësh. 6. I takoj një force politike që, qoftë për trashëgimi ideologjike dhe qoftë për prioritet të momentit, ka dinjitetin dhe barazinë e femrës. Më tej, filozofikisht kam për flamur Volterin: “Nuk jam dakord me ty, por do të bëj të pamundurën që të thuash mendimin tend”. 7. Ndër personat që i bënin “share”, kishte edhe femra. Nga profilet dukeshin përgjithësisht të pabukura apo të rutinosura në anonimitet, që përmes butonit “share” përpiqeshin të derdhnin gjithë duhmën e jetës së tyre boshe. 8. Komentet e meshkujve për foton, krijonin një përrua psiqik seksualizmi të pashfryrë, dhe sperme mentale, që do të vinte në lëvizje edhe një central nga këta që po ndërtohen vend e pavend. 9. Ne shqiptarët që aq shumë flasim për rrespekt ndaj femrës e për kavaljerllëk tradicional, duhet të heqim dorë nga broçkullat romantike dhe t’i biem problemit në kokë. Si për çdo fushë tjetër, morali jonë mbaron tek dera e shtëpisë, jashtë saj çdo gjë e bëjmë në të kundërt. Shenjë e qartë kjo e kombeve të pa pjekura, që s’e kanë kaluar ende formën e organizimit familjar. 10. Rrjetet sociale bënë të dalin nga mysybeti dhe zymtia e hiçit, gjithë zulma e anonimëve të botës. Je anonim? S’ke asnje mundësi a aftesi që, duke bërë diçka në jetë, të biesh në sy a të dallohesh? Mos u mërzit, tani ke mundësinë e artë që përmes fb, të shash edhe më të mirin e dynjasë. Deri dje, pa demokracinë barazitiste të internetit, gjithë ky duf flinte brenda shpirtrash të thatë e të thartë. Tash ka mundësi të dalë e të qelbë botën. 11. Zor se gjeta mes mesazheve të femrave, ndonjërën që mbronte të drejtën e qytetares (që as që ishte ajo që thonin) për të bërë ç’të dojë me atributet e veta. Barazia mes sekseve nuk vjen me kuota apo me përqindje të detyrueshme me ligj. Sepse pa u vendosur barazia mentale, barazia me kuota thjesht krijon femra që sillen si burra hamshorë. 12. Shkruajta për rastin e Sokol Ballës dhe për të drejtën e secilit që të bëjë ç’të dojë me jetën e vet private, jo për të mbrojtur Sokolin por jetën time private. Të njëtën gjë po bëj sërish, jo për të mbrojtur Gridën, por jetën time private. 13. Ata që më njohin, e dijnë që jam maskilist apo siç më cilësonte Edi Rama në një intervistë: “alla Kapedan”. Por pranë meje çdo femër që e ka merituar është bërë edhe drejtoreshë, ashtu sikundër çdo mashkull që nuk e ka merituar ka humbur vendin e punës. 14. Para disa kohësh mbrojta një tjetër femër, që i bënë një sulm nga një media e caktuar, sulm që u shoqërua pastaj me përroin e sharjeve pa doganë nëpër mesazhe. Fjalët e fundit të atij shkrimi, po i them edhe per këngëtaren polake (se e saja është fotoja, dhe jo e Kandidates së Durrësit): “Vazhdo jeten tende, qeshu e gëzo siç ke bërë deri sot. Ti do vazhdosh ta shijosh atë, ndërsa zulma e anonimëve prapë anonimë të trishtuar do mbeten”. 15. Ndërsa unë do mbetem ai që jam, më mirë Lek Dukagjin a Zahari i së shkuarës, sesa pusht interneti i së sotmes.