“Pas sinjalizimit për rënie zjarri në ambientet e burgut, shërbimet e sigurisë së institucionit kanë marrë masat për neutralizimin dhe vënien e situatës nën kontroll. Kemi bashkëpunuar me Policinë dhe zjarrfikësit për të mbajtur gjendjen nën mbikëqyrje të plotë”, thuhet në njoftimin zyrtar të DPB-së.
Nga zjarri u asfiksuan 21 të dënuar, të cilët u dërguan në spitalin e Kavajës, ndërsa dy prej tyre janë dërguar për mjekime më të specializuara në Durrës dhe Tiranë. 78 të paraburgosur janë transferuar në Peqin.
Zjarri, tentativë për t’u arratisur
Burime policore bëjnë me dije se dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm nga të burgosurit, si një tentativë për skenar arratisje nga ana e tyre.
Mësohet se zanafilla e zjarrit ka qenë djegia e dyshekut të njërit prej të burgosurve me një leckë me lëndë djegëse, flakë të cilat kanë depërtuar më pas në ambientet e tjera të këtij institucioni. Një fakt i tillë është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë së burgut.
Duket se të burgosurit që vuajnë dënimin në këtë institucion e kanë parë këtë si mjet për të shpërqendruar punonjësit e burgut, me qëllim arratisjen. Por, skenari duket se nuk ka qenë i mirëmenduar, pasi përpos faktit që jeta e tyre dhe policëve të burgut u vu në rrezik serioz, askush nuk mundi t’u shpëtojë qelive.
Nga ana e policisë vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.
Nga zjarri i djeshëm u asfiksuan 22 të burgosur dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë. Njëri prej të dënuarve ndodhet në spitalin e Durrësit në reanimacion, ndërsa një tjetër i dënuar ndodhet në Tiranë pasi ka pësuar djegie të shkallës së tretë.
Po kështu paraditen e sotme drejt Tiranës janë nisur dy të burgosur të tjerë, ndërsa pjesa tjetër e te burgosurve që kanë shfaqur probleme për shkak të tymit ndodhen në spitalin Kavajës.
Zjarri në burgun e Rrogozhinës, Drejtoria e Burgjeve jep versionin zyrtar
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve jep versionin zyrtar të ngjarjes në burgun e Rrogozhinës. Në një komunikatë për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije, se mbrëmë rreth orës 20:35, në IEV Penale Rrogozhinë në godinën 3 të Paraburgimit, sektori 3, dhoma 1, është konstatuar një vatër zjarri.
Menjëherë nga shërbimet e sigurisë së institucionit janë marrë masat për neutralizimin zjarrit, si dhe garantimin e jetës së personave të paraburgosur. Në të njëjtën, kohë është bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, Shërbimin e Zjarrfikësve, Prokurorinë e rrethit gjyqësor Kavajë për të mbajtur nën kontroll situatën dhe garantuar elementet e sigurisë në këtë institucion.
Po dje, është bërë i mundur dërgimi në spitalin e Kavajës i 21 personave të lënduar nga zjarri, kryesisht të asfiksuar nga tymi, ndër të cilët një i paraburgosur është dërguar për trajtim të specializuar në Tiranë dhe një tjetër në Spitalin Rajonal të Durrësit. Shtetasit e paraburgosur, që kishin nevojë për trajtim mjekësor, janë shoqëruar në spital nën masa të rrepta sigurie dhe është ndjekur hap pas hapi gjendja e tyre shëndetësore.
Veprimet paraprake hetimore procedurale janë kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Aktualisht, sipas DPB-së po punohet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.
Ndërkaq Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se gjendja në IEVP Rrogozhinë është nën kontroll dhe në standardet e kërkuara të sigurisë. Nga ana e institucionit janë marrë masat për zhvillimin normal të aktiviteteve në IEVP Rrogozhinë, si dhe për të informuar familjarët e personave të paraburgosur.
Ndërkaq me qëllim krijimin e kushteve optimale në sektorin e paraburgimit Rrogozhinë, 78 të paraburgosur janë transferuar përkohësisht në IEVP Peqin.