Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Stefan Fyle ka deklaruar pas përfundimit të Këshillit të katërt të Stabilizim Asocimit midis BE dhe Malit të Zi, se takimi ishte i frytshëm.
Fyle theksoi, se BE ka bërë të qartë se progresi në çështjet si : amendimet kushtetuese, hetimi i çështjes së Audio-Regjistrimit, si edhe ndjekja e rekomandimeve të OSBE-së pas zgjedhjeve presidenciale, do të jenë një faktor i rëndësishëm, që do të përcaktojë progresin e ardhshëm në negociatat e aderimit.
Komisioneri për Zgjerimin vlerësoi se, një vit pas hapjes së negociatave, jemi në aktivitet të plotë përsa i përket negociatave të aderimit: dy kapituj negociues tashmë janë hapur dhe mbyllur përkohësisht dhe është duke u diskutuar një numër thelbësor i raporteve ekzaminuese me Shtetet Anëtare.
“Komisioni po e ndihmon aktivisht Malin e Zi, në këtë proces. Ne presim që autoritetet e Malit të Zi të shfaqin vullnetin politik të nevojshëm, për të kapërcyer sfidat dhe të ngrihen në nivelin e pritur nga BE, në lidhje me negocimin e një vendi për aderimin e tij në BE”,- ka deklaruar Fyle.
Komisioneri për Zgjerimin ka konfirmuar gjithashtu, se është vështruar edhe progresi i fundit siç janë vendimet Parlamentare të fundit të majit, në adresimin e disa prej sfidave të fundit, dhe punën kundrejt Planeve të Veprimit për kapitujt 23 dhe 24, të cilët pritet të adoptohen shumë shpejt nga qeveria.
“Jam i lumtur të konstatoj, duke ndjekur zhvillimet e fundit në Parlament, se Mali i Zi po lëviz drejt ‘normalitetit’ sërish. Është e rëndësishme që konkluzionet parlamentare të 31 Majit të përkthehen në rezultate konkrete”,- vlerësoi Fyle.
E rëndësishme sipas Komisionerit Fyle, është tashmë implementimi Planeve të Veprimit, në mënyrë që të mund të hapen sa më shpejt Kapitujt 23 dhe 24, të cilat pritet të sjellin përmirësime konkrete për sundimin e ligjit, në Mal të Zi. Gjithashtu sipas tij, rezultate konkrete në këtë drejtim, janë të nevojshme për progres të vazhdueshëm në procesin e aderimit.
Mali i Zi, deklaroi pavarësinë nga Unioni Serbi-Mali i Zi, më 2006, dhe vetëm më 2008, shteti i ri depozitoi një kërkesë anëtarësimi në Bashkimin Europian. Më 2010, Komisioni doli me një mendim të favorshëm ndaj kërkesës së aderimit të Malit të Zi, duke përcaktuar njëkohësisht 7 kritere të cilat duhej të aplikoheshin përpara hapjes së negociatave të aderimit dhe Këshilli i akordoi statusin e vendit kandidat.
Më dhjetor 2011, Këshilli hapi procesin e aderimit me synim hapjen e negociatave më qershor 2012. Negociatat e aderimit me Malin e Zi filluan vetëm, më 29 qershor 2012
Me 18 Dhjetor 2012, janë hapur dhe mbyllur përkohësisht kapitujt 25 mbi Shkencën dhe Kërkimin dhe më 15 prill 2013 është hapur dhe mbyllur përkohësisht Kapitulli 26 mbi Edukimin dhe Kulturën. 35 Kapituj në total kanë të bëjnë me përthithjen e kuadrit ligjor, sipas fushave të caktuara të BE-së./im.ta/