“Parashikoj se palët do të mblidhen në të njëjtën dhomë ku sot zhvilluan takime,” tha zoti Brahimi.
Ndërmjetësuesi u shpreh optimist për bisedimet e tij me delegacionet e qeverisë dhe opozitës.
Komentet e tij ishin të papritura, pasi u bënë në përfundim të një dite gjatë së cilës Ministri i Jashtëm i Sirisë kishte kërcënuar se do të tërhiqej, nëse nuk fillonin që sot bisedimet serioze dhe opozita kërcënoi se nuk do të përfshihej në bisedime të drejtpërdrejta nëse qeveria nuk pranon deklaratën e konferencës Gjeneva 1, e cila konsiderohet si themeli i bisedimeve të reja.
Dokumenti në fjalë, i negociuar nga komuniteti ndërkombëtar 18 muaj më parë, parashikon ngritjen e një qeverie tranzicioni në Siri. Opozita dhe aleatët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera perëndimore, thonë se kjo nënkupton largimin nga posti të Presidentit Bashar al-Asad. Presidenti dhe aleatët e tij, përfshirë Rusinë dhe Iranin, nuk janë dakord.
Zoti Brahimi pohoi se ekzistojnë dallime në interpretim, siç u shpreh ai, por shtoi se të dyja palët e pranojnë se procesi i bisedimeve bazohet mbi deklaratën e konferencës Gjeneva 1.
Ai tha se ka gjasa të diskutohen edhe çështje të tjera, përfshirë përmirësimin e lëvizjes së ndihmave humanitare. Por ai shtoi se synimi kryesor do të jetë gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin afro 3 vjeçar.
“Ambicja kryesore e këtij procesi është të shpëtohet Siria, asgjë më pak. Shpresoj se të tria palët, qeveria, opozita dhe Kombet e Bashkuara do të tregohen të gatshme për këtë sfidë”.
Zoti Brahimi u bëri gjithashtu thirrje atyre që mbështesin palët ndërluftuese në komunitetin ndërkombëtar, “të bëjnë atë që u takon” për të mbështetur negociatat.
Ai tha se parashikon që bisedimet do të vazhdojnë gjatë javës së ardhshme dhe më pas do të ndërpriten për t’u dhënë mundësi delegacioneve të konsultohen me udhëheqjen e tyre.