Dokumenti është pritur me padurim, thekson BBC-ja për 1.3 miliardë të krishterë në botë.
Dokumenti i firmosur nga Papa Francesku, titullohet “Mbi dashurinë në familje”, i cili në thelb nuk ndryshon doktrinën e kishës katolike. Ajo që mund të veçohet është se Peshkopët në çdo vend mund të interpretojnë doktrinën duke u përshtatur me kulturën e atij vendi, thotë korrespondenti i BBC-së.
Dokumenti jep detaje mbi pikëpamjet e Papës për jetën në familje, martesën, kontraceptivët dhe rritjen e fëmijëve. Për të, është punuar tre vite nga kreu i Vatikanit.
Më pas, ai diskutoi me peshkopët, kardinalët dhe me dy Sinodet në Romë, për të dhënë pikëpamjet e tyre. Tre çështjet më delikate janë: divorci dhe rimartesat, kontraceptivët dhe homoseksualët.
Liberalët kishin pritshmëri të mëdha për ndryshimet e pikëpamjeve të Kishës mbi familjen, konservatorët kishin frikë se qëndrimi i Jezu Krishtit për këtë çështje do të ndryshohej.
Gjithsesi, dokumenti siç e interpreton korrespondenti i BBC-së është balancues për të dyja palët, pasi nuk armiqësohet me tradicionalët dhe nuk bën as lëshime radikale. Megjithatë, katolikët homoseksualë nuk do të jenë të kënaqur.