Në deklaratën e tij në Facebook, Arsen Avakhov, tha se Yanukovich kishte arritur mbrëmë në Krime, por aktualisht nuk dihet se ku gjendet.
Gjithashtu ushtruesi i detyrës së ministrit të brendshëm tha se urdhër arresti për Yanukovichin dhe disa zyrtarë të tjerë është lëshuar pasi akuzohen për vrasje masive të civilëve.
Në Ukrainë po dëgjohen zëra për vënien e ish-presidentit Yanukovich para drejtësisë, pas presidencës së trazuar, në të cilën ai e keqpërdori autoritetin, pasuroi aleatët e tij dhe i goditi protestuesit.
Rusia tërheq ambasadorin nga Ukraina
Rusia ka tërhequr ambasadorin e saj në Ukrainë Mikhail Zurabov dhe ka dënuar largimin nga detyra të presidentit Viktor Janukoviç, i cili u shkarkua nga Parlamenti ditën e shtunë. Kjo lëvizje vjen pasi presidenti i ri dhe i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandër Turçinov tha se tani Ukraina do të përqendrohet në integrimin në Bashkimin Europian.
Largimi i Janukoviçit erdhi pas refuzimit që ai i bëri marrëveshjes BE-Ukrainë dhe protestave që e pasuan këtë refuzim. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, ka akuzuar Ukrainën për shmangie nga marrëveshja politike e nënshkruar ditën e premte. Ai tha se opozita ka marrë pushtetin duke u mbështetur vetëm tek dhuna.
Shumë pikëpyetje ka për të ardhmen ekonomike të Ukrainës, ndërsa vendi është drejt falimentimit. Moska thotë se do të vendos nëse do ta vazhdoj kredinë e premtuar për Ukrainën, pasi të formohet qeveria e re. Por SHBA dhe BE janë shprehur të gatshme t’i ofrojnë mbështetje ekonomike të pakushtëzuar Ukrainës.
Mijëra protestues mbeten në Sheshin e Pavarësisë, ndërsa atmosfera është e qetë.
Në disa javë protestash kundër Yanukovych, i cili refuzoi një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian për t’u lidhur më ngushtë me Rusinë, të paktën 128 persona mbetën të vrarë, ndërsa disa godinave qeveritare iu vendos zjarri.