Efektet pozitive
Trëndafili i egër njihet për vetitë e tij autostimulante dhe antialergjike. Për këtë arsye, ai është shumë efektiv kundër rrufës dhe virozave të dimrit. Ai forcon sistemin imunitar, pasi ka në përbërje të tij të njëjtën sasi vitamine C që kanë edhe agrumet.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me këtë bimë përgatitej një shurup i ëmbël dhe i trashë që u jepej fëmijëve. Por sot atë mund ta gjesh në farmaci edhe në trajtë tabletash. Trëndafili i egër mund të përdoret edhe për të luftuar dhimbjet e kyçeve që vijnë nga reumatizma apo artriti.
Bima njihet gjithashtu për aftësinë që ka në parandalimin e formimit të gurëve në veshka, lufton me efikasitet sëmundjet kardiovaskulare, favorizon përthithjen e kalciumit e hekurit nga stomaku dhe redukton simptomat e infeksioneve urinare. Një tjetër përdorimi trëndafilit të egër, që vjen nga recetat e gjysheve, por edhe mjekësia i ka hapur dritën jeshile, është në rastet e menstruacioneve të bollshme te femrat.
Efektet anësore
Pavarësisht se manifestohen në raste të rralla, përdorimi i trëndafilit të egër mund të ketë edhe efekte anësore. Për të shmangur këto të fundit, duhet bërë kujdes me dozën e përdorur. Disa nga shqetësimet që mund të shfaqen në rast mbidoze janë: të përziera, të vjella, djegie dhe dhimbje në stomak, dhimbje koke dhe gjumë i shqetësuar.
Këshillohet që trëndafili i egër të mos përdoret gjatë shtatzënisë dhe as në fazën e ushqyerjes me gji të fëmijës. Kjo pasi mund të shkaktojë reagime alergjike tek bebet e vogla.