Ende është e paqartë se nëpërmjet çfarë mënyre tentoi Paris të vetvritej, ndonëse burime jozyrtare spekuluan për marrjen e një mbidoze ilaçesh, por lajmi për tentativën u konfirmua nga burime brenda familjes dhe vetë nëna, Debbie Rowe.
Aktualisht, gjendja shëndetësore e 15-vjeçares paraqitet e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Një avokat i Katherine Jackson, gjyshes kujdestare, në një deklaratë shkruante se “vajza vazhdon të vuajë humbjen e babait”, por shtoi se një ngjarje e tillë ishte tërësisht e paparashikuar.
Në rrjetin shoqëror “Twitter”, e frymëzuar nga një tekst i këngës “Yesterday” të “The Beatles”, një ditë përpara tentativës së dështuar të vetvrasjes, Paris shkruante: “Dje, të gjitë telashet e mia dukeshin se ishin larguar larg, por sot janë rikthyer për të qëndruar”.
Nuk është e qartë nëse depresioni i adoleshentes është i lidhur vetëm me humbjen e babait dhe jetën e vetmuar që bën larg nënës natyrale apo për shkak të konflikteve brenda familjes Jackson për pasurinë e lënë nga Micheal, konflikte që kanë çuar deri në përballje fizike e ligjore midis motrave e vëllezërve të këngëtarit të ndjerë e tre fëmijëve të tij.