Sport Ekspres: Progni lojtari i vitit

74

progniGjatë ditës së djeshme, gazeta “Sport Ekspres” ka mbyllur përfundimisht sondazhin online të bërë në faqen e saj zyrtare në ueb për lojtarin më të mirë të vitit 2013. Në këtë sondazh kanë votuar rreth 4 mijë tifozë nga vendi ynë, por edhe dashamirës të futbollit që janë të ndjeshëm ndaj ngjarjeve sportive në vend. Lojtari më i votuar ka qenë sulmuesi i skuadrës së Kukësit, Gerhard Progni, i cili ka merituar edhe vendin e parë në këtë sondazh. Suksesi i Prognit vjen pas paraqitjes së mirë që ai ka bërë me skuadrën e Kukësit gjatë vitit të kaluar ku arriti të shpallej nënkampion me ekipin që në atë kohë drejtohej nga Armando Cungu. Nuk duhet të harrojmë se Kukësi në debutimin e tij të parë në histori në Kategorinë Superiore arriti të ishte në vendin e dytë. Ndërkohë, Progani ka bërë një paraqitje mjaft të mirë edhe në Europa Ligë, ku skuadra e Kukësit, ai asnjë ekip shqiptar më parë ka arritur të kalojë tre ture dhe të eliminohet në fazën e “play-off” nga turqit e Trabzonsporit. Për këto suksese Progni ka marrë 30% të votave në këtë sondazh online ose të përkthyera në numër votash janë 783 nga 2600 votues që kanë marrë pjesë në këtë votim.

Të tjerët – Pas Prognit, votat më të larta i ka marrë Hair Zeqiri. Mesfushori i skuadrës së Flamurtarit ka bërë gjithashtu një paraqitje të shkëlqyer me ekipin e tij dhe ka vendosur të mos largohet edhe pse vlonjatët kanë pasur probleme financiare gjatë verës. Kapiteni korçar Bledi Shkëmbi është renditur i treti në këtë votim, ndërsa katërshen e parë e mbyll Mentor Mazrekaj i Partizanit me 186 vota të marra. Lojtari që ka marrë më pak vota në këtë sondazh online të publikuar në “www.sportekspres. com” ka qenë ai i Kastriotit, Erald Turdiu, i cili ka marrë vetëm tre vota.

Renditja e lojtarëve pas votimit
1. Gerhard Progni (Kukësi) (30%, 783 vota)
2. Hair Zeqiri (Flamurtari) (25%, 649 vota)
3. Bledi Shkëmbi (Skënderbeu) (18%, 462 vota)
4. Mentor Mazrekaj (Partizani) (7%, 186 vota)
5. Tomislav Bushiç (Vllaznia) (7%, 182 vota)
6. Erjon Vucaj (Laçi) (4%, 115 vota)
7. Erando Karabeci (Tirana) (3%, 72 vota)
8. Daniel Xhafa (Teuta) (3%, 71 vota)
9. Mikel Canka (Lushnja) (3%, 66 vota)
10. Solomonson Izuçuku (Bylis) (1%, 23 vota)
11. Bernard Berisha (Besa) (1%, 21 vota)
12. Erald Turdiu (Kastrioti) (0%, 3 vota)