Rikthehet qetësia pas incidentit në Kapitol

43
0F9C19B1-02D9-4A41-BDE1-42CA0B72A0C9_w640_r1_s_cx0_cy8_cw0VOA
Në mes të një beteje të ashpër për buxhetin e qeverisë federale, policia e Uashingtonit thotë se një makinë u përplas me barrikadën rrethuese të Shtëpisë së Bardhë dhe më pas policia u vu në ndjekje të saj në bulevardin drejt Kapitolit. Njoftimet bëjnë të ditur se makinën e ngiste një grua dhe gjatë ndjekjes ajo goditi një polic, ndërsa forcat e rendit qëlluan në drejtim të saj.

Në ditën e tretë të mbylljes së qeverisë si rezultat i ngërçit politik, debati në Kapitol u ndërpre nga një sfidë sigurie. Kapitoli si dhe ndërtesa të Senatit amerikan u bllokuan pas të shtënave pranë Kapitolit. Ligjvënësi demokrat Gerald Connolly tha për Zërin e Amerikës se ishte tronditur nga incidenti:

“Isha në balkon kur u dëgjuan të shtënat. I dëgjuam qartë. Fillimisht menduam se mund të ishin fishekzjarre, por pastaj e kuptuam se ishin të shtëna armësh”. 

Frank Schwing, një punonjës qeveritar i pezulluar nga mbyllja e përkohëshme e qeverisë, pa policinë duke ndaluar makinën. Ai bëri komente për shërbimin indonezian të Zërit të Amerikës:

“Policia ndaloi makinën dhe hapi derën. I kërkuan shoferit të dilte jashtë, por ai sprapsi makinën, u përplas me një nga automjetet e policisë dhe u largua me shpejtësi. Në atë kohë dëgjuam ndoshta mbi 10 të shtëna”. 

Hetimi vazhdon, por njoftimet bëjnë të ditur se një grua përplasi makinën tek barriera e sigurisë para Shtëpisë së Bardhë dhe më pas u largua drejt Kapitolit. Policia u vu në ndjekje të saj. Ajo u përplas me një makinë të policisë së Kapitolit duke plagosur një polic. Nuk është e qartë nëse gruaja qëlloi me armë, por policia qëlloi në drejtim të saj. Ka njoftime se në makinë me të ishte një fëmijë. Nuk është e qartë përse gruaja u përpoq të futej në Shtëpinë e Bardhë.

Shefi i policisë së Kapitolit Kim Dine thotë se Shtëpia e Bardhë dhe Kapitoli janë të sigurtë:

“Nuk kemi informata se incidenti kishte lidhje me terrorizmin, për momentin po e konsiderojmë si incident të izoluar”. 

Disa anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve u futën në mjediset e brendshme për të kërkuar strehim. Ligjvënësi Connolly tha se anëtarët nuk kishin dieni se çfarë po ndodhte:

“Fillimisht ishte sureale. Mjafton ta mendosh, të shtëna në mjediset e Kapitolit. Nuk pata frikë për vete, por po shihja turistët dhe mendoja “Shpresoj se të jenë shëndoshë e mirë”. 

Punonjësit e Kongresit janë të përgatitur për skenare të ndryshme në rrethana të rrezikshme, por shpejt e kuptuan se këtë radhë ishte një rrezik real.

Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga republikanët, ka rifilluar tashmë votimet mbi masa individuale për të financuar pjesë të ndryshme të qeverisë. Senati nuk i ka përqafuar këto masa. Beteja politike që vazhdon prej javësh ende nuk ka gjetur zgjidhje, duke rezultuar në mbylljen e pjesshme të qeverisë federale.