Qeveria kosovare riformatohet ne heshtje

55
SONY DSCQeveria e Kosovës po riformatizohet pa zhurmë, sipas Koha net. Pas rikthimit në Qeverinë e Kosovës të njërit prej politikanëve më kontrovers, Gjergj Dedaj, shefi i ekzekutivit, Hashim Thaçi,  ka “futur në agjendë” edhe ndryshime të tjera.

Sipas “Zërit”, i pari që do të preket nga ndryshimet në qeveri është zëvendësministri i Shëndetësisë, Naim Fetahu, i cili është nënkryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë. Nga ministria ku ai punon nga fillimi i Qeverisë “Thaçi 2”, do të kalojë në Ministrinë e Financave, ku gjithashtu do të jetë zëvendësministër, duke ia “zënë vendin” paraardhësit të tij, Astrit Haraqija (përkatësisht Ramadan Avdiu).

Vendi i punës do t’i ndërrohet edhe zëvendësministrit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Veseli, i cili, sipas planifikimit të kryeministrit do të shkojë në Ministrinë e Shëndetësisë, ku do ta “zërë vendin” e Fetahut, përkatësisht do të jetë zëvendësministër i Ferid Aganit.

Ndërkaq, kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, Muhamet Latifi, i cili aktualisht është drejtor i Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil, në Ministrinë e Administratës Publike, do të emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vendin që do ta “lirojë” Veseli.

Zëvendësministri i ri i Financave, Fetahu ka thënë se e ka marrë vendimin nga kryeministri për ndërrimin e pozitës dhe se sot (e premte) do të dalë në vendin e ri të punës. Edhe bashkëpartiaku i tij, Muhamet Latifi, ka deklaruar se tashmë do të ketë pozitë të re në Qeverinë e Kosovës.

Këto ndryshime në qeveri i kanë konfirmuar të tre zyrtarët qeveritarë.

Po ashtu, mediet njoftuan se në vend të zëvendësministrit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe të Ambientit, të dorëhequr ditë më parë, Ilir Mirena , tashmë ka filluar punën ish-drejtori i “Trepçës”, Ferat Shala.

Siç është raportuar më herët, zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi, pas “pushimit” disamujor për shkak të hetimeve të EULEX-it ndaj tij, që rezultuan me pafajësinë e tij, është rikthyer në kabinetin dhe postin që kishte.