Përfunduan zgjedhjet në Mitrovicë

54

largea_zgjedhjet_-_20131386086651Në veriun e Mitrovicës përfunduan votimet e katërta me radhë për kryetarin e kësaj komune të banuar me shumicë serbe. Gjashtë qendrat e votimit ishin hapur me kohë dhe procesi është zhvilluar pa ndonjë incident. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se “deri në mbyllje të vendvotimeve kanë votuar 5 mijë e 890 votues, apo 20.72 për qind e zgjedhësve të regjistruar”.

Zgjedhjet u përsëriten, meqë kryetari i zgjedhur në votimet e dhjetorit të vitit që lamë pas, Kërstimir Pantiç, dështoi në fillim të janarit të japë betimin duke kundërshtuar që, siç tha, t’u nënshtrohet ligjeve të Kosovës. Kandidatët e katër subjekteve politike nga të cilat dy shqiptare dhe dy serbe Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Nisma qytetare serbe dhe Nisma qytetare SDP, konkurruan për postin e kryetarit të kësaj komune. Nisma qytetare SDP, kandidoi kryetarin e saj Oliver Ivanoviç, pavarësisht se ai ndodhet në paraburgim nën dyshimet për përfshirje në krime lufte dhe krime të pasluftës në Kosovë.

Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, edhe në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas, ishte kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës. Qytetarët e komunitetit serb thonë se presin përmirësim të situatës në veri pas këtyre zgjedhjeve kur pritet edhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfshirja në zgjedhje e komunave veriore që janë skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës, u bë e mundur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur ne prill të vitit të kaluar. Kjo marrëveshje i bëri të mundur Kosovës që të fillojë negociatat për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian në tetor të vitit që lamë pas, ndërsa Serbisë i mundësoi fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.