MPB shpjegon se “Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave është vënë në lëvizje dhe nisi hetimet menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin “Fiks Fare“ në Top Channel, ku shfaqen 3 shtetas që denoncojnë një aferë, ku dyshohet se janë të implikuar edhe punonjës policie. SHÇBA-ja ka vërtetuar dhe dokumentuar ligjërisht se punonjësit e policisë, Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të kryer nga persona të cilët ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248, 259 dhe 25 të Kodit Penal”.
“Kontrollori Ylli Hoxha dhe përgjegjësja e turnit Veziko Bejko, me detyrë në pikën e kalimit kufitar ne Kakavijë, Gjirokastër, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash në këmbim të lejimit të kalimit të paligjshëm të kufirit të 3 shtetasve drejt Greqisë, pasi këta të fundit kishin mangësi në dokumentacion për të udhëtuar në zonën Shengen. Materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastres, qe urdhëroi ndalimin e 2 punonjësve të policisë. Sot, në orën 17:00, u bë ekzekutimi i dy urdherave të ndalimit për efektivët e sipërpërmendur”, theksohet në deklaratën e MB.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka përjashtuar punonjësit Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha, për shkelje të rëndë të detyrës. Ministria e Punëve të Brendshme falënderon emisionin “Fiks Fare” për investigimin dhe pamjet e trasmetuara.