Eurodeputetët, gjatë një debati me Kryeministrin serb, në Komisionin e Punëve të Jashtme, kanë vlerësuar rëndësinë e Marrëveshjes së 19 prillit si edhe planin e zbatimit të 22 majit, për vënien në jetë të kësaj marrëveshje.
“Etapa e ardhshme e nevojshme për mbajtjen e një date hapje të negociatave të aderimit në BE, është vënia në jetë e Marrëveshjes sonë me Prishtinën. Nuk ka asnjë dyshim në lidhje me këtë temë”, – deklaroi Kryeministri serb Ivica Daçiç, gjatë debatit me deputetët të mërkurën. Ai shtoi se grupet e punës, do të mblidhen në ditët e ardhshme.
Daçiç nënvizoi gjithashtu, se Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por është e ndërgjegjshme për realitetin në terren, duke i siguruar eurodeputetët, se marrëveshja nuk do të rezultojë në “krijimin e një Republika Srpska” në Kosovë.
Gjatë debatit, në Komisionin e Jashtëm, u prekën edhe tema të tjera, si ajo e reformës mbi sistemin e drejtësisë, lufta kundër kriminalitetit të organizuar, rekrutimi i forcave të policisë serbe në Kosovë, marrëdhëniet me fqinjët e Serbisë si edhe marrdhëniet me Rusinë.
Pas dhjetë raunde bisedimesh Kosovë-Serbi, më 19 prill, në Bruksel, Kryeministrat e dy vendeve, Thaçi dhe Daçiç, finalizuan Marrëveshjen e fokusuar mbi 15 parime bazë, që prekin kuadrin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Javën e kaluar, të dy palët ranë dakord edhe për afatin kohor të zbatimit në terren, në lidhje me 6 nga 15 pikat kyçe të kuadrit ligjor të Marrëveshjes, që lidhen konkretisht me asociacionin e komunave serbe, policinë, drejtësinë, dhe zgjedhjet lokale. Megjithëse dyshimet në lidhje me një zbatim efikas të saj në terren, janë ngritur nga analistë të të dy vendeve përkatëse, arritja e kësaj Marrëveshje konsiderohet nga BE, si një faktor pozitiv, optimist, që mund të mundësojë një normalizim të marrëdhënieve, duke kapërcyer pengesat aktuale midis dy diplomacive përkatëse dhe duke i hapur rrugën në këtë mënyrë, një përafrimi të shpejtë të këtyre vendeve në Bashkimin Europian.