Krimea pro bashkimit me Rusinë

49

rusiaVotuesit e përkatësisë ruse në Krime festuan mbrëmë për atë që e konsiderojnë si fitore në  përpjekjet për shkëputje nga Ukraina dhe ribashkim me atdheun e tyre.

Pritej në shkallë të gjerë që rezultatet të tregonin një mbështetje në masë për bashkimin me Rusinë, por ka gjasa që shifrat mbi 90% për bashkimin të konsiderohen si rezultat i manipulimit të votës. Rajoni përbëhet nga rreth 60% popullatë ruse dhe udhëheqësit lokalë, të vendosur kohët e fundit pasi forca pro-ruse uzurpuan parlamentin, shpallën javën e kaluar pavarësinë nga Ukraina.

Po ashtu, një prani e madhe dhe e frikshme trupash ruse që ka paralizuar forcat ushtarake ukrainase në Krime si dhe manovrat ushtarake ruse pranë kufirit me Ukrainën, e kanë tensionuar më tej situatën.

Ukrainasit në Kiev shprehën kundërshtim të fortë kundër referendumit dhe mënyrës si u zhvillua.

Moska pretendon se po mbron rusët nga përndjekja e ekstremistëve ukrainas, të cilët erdhën në pushtet pas protestave anti-qeveritare që morën tipare të dhunshme.

Demonstratat filluan në nëntor pasi Presidenti Viktor Yanukovich u tërhoq nga një marrëveshje tregtie me BE-në duke favorizuar forcimin e lidhjeve me Moskën. Ai u arratis për në Rusi në shkurt dhe u rrëzua nga posti pas votës në parlamentin ukrainas. Rusia nuk i njeh autoritetet e reja të Kievit dhe planet për zgjedhje presidenciale në maj.

Analistët politikë thonë se Moska po shfrytëzon elementët radikalë në qeverinë tranzitore të Kievit dhe protestuesit që ende vazhdojnë të qëndrojnë në barrikadat e Kievit si justifikim për të marrë Krimenë.

Udhëheqësi rus i Bashkimit Sovjetik ia kaloi kontrollin e këtij rajoni Ukrainës në vitin 1954.

Mijëra ukrainas u mblodhën dje në qendër të Kievit për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj referendumit dhe përpjekjeve të Moskës për ta përçarë vendin. Por atmosfera ishte pesimiste, pasi shumë ukrainas ndjehen të pafuqishëm përballë Rusisë dhe i tremben shkallëzimit të tensioneve, pasi mund të sjellë një përgjigje edhe më të fortë nga Moska.

Rezultatet e referendumit u deklaruan të pavlefshme nga Ukraina, BE dhe Shtetet e Bashkuara. BE dhe Shtetet e Bashkuara po planifikojnë sanksione për të ndëshkuar agresionin rus, të cilin disa analistë e cilësojnë si pushtim që mund të çojë në një Luftë të re të Ftohtë.

Por vota e djeshme, nën praninë e trupave ruse, si dhe përpjekjet ruse për aneksimin e rajonit e kanë bërë shumë të pranishëm skenarin e ndryshimit të statusit për Krimenë.

Moska, e cila furnizon pjesën më të madhe të gazit evropian, ka kërcënuar të ndërmarrë sanksione nga ana e saj. Ndërkaq, 40% e popullatës së Krimesë, e përbërë nga tartarë dhe ukrainas, ballafaqohet me një të ardhme të paqartë.

Ka shqetësime se Moska nuk do të ndalet veç me Krimenë. Grupet pro-ruse kanë kërkuar zhvillimin e referendumeve të ngjashme në Ukrainën lindore, ku përleshje të dhunshme me protestuesit pro-ukrainas kanë lënë të paktën tre të vdekur gjatë javës së fundit.