Kosova me ushtrinë e saj, Thaçi: Forcat e sigurisë mbyllin misionin e tyre

55

ushtria e kosovesNë kuadër të manifestimit qendror për gjashtë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues parakaluan në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Kjo do të jetë para e fundit e FSK-së për shënimin e përvjetorit të pavarësisë, pasi vitin e ardhshëm ky institucion do të njihet me emrin Forcat e Armatosura të Kosovës.

FSK i bëri nderime atdheut duke ngritur flamurin shtetëror dhe intonuar himnin e Republikës së Kosovës, ndërsa përveç krerëve të vendit, të pranishëm ishin edhe shumë qytetarë.

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi me këtë rast vunë kurora lulesh pranë shtatorit të heroit Zahir Pajaziti.

Presidentja Jahjaga tha se në këtë gjashtë vjetor të pavarësisë duhet të dëshmojnë se po ruajmë vlerat e gjeneratave të tëra që u sakrifikuan. Ajo tha se Kosova ka shkuar të tashmen me paqe me ndihmën e miqve ndërkombëtar.

“17 shkurti shënon historinë e pakthyeshme dhe të pamohueshme të shtetit të Kosovës”, tha Jahjaga, duke shtuar se periudha e hasmërive në Ballkan ka kaluar dhe tani është koha e integrimit në strukturat evropiane.

Ajo vlerësoi se pavarësia e Kosovës është garantuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore.

Jahjaga tha se ende ka punë t’u bërë në krijimin e shtetit të së drejtës, për rend dhe ligj në secilën pjesë të vendit etj.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi tha se të gjithë ndihen krenar që Forca e Sigurisë së Kosovës është një storie e suksesshme.

Duke elaboruar proceset e dertanishme, Thaçi tha se është koha të vazhdohet më tutje me një kapitulli të ri, të merren përgjegjësitë e plota për shtetin tonë edhe në lëmin e sigurisë.
Kjo sipas tij, nënkupton edhe në emër të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Kjo është parada e fundit ku ne e shohim parakalimin e FSK-së me këtë emër”, u shpreh Thaçi duke shtuar se na ndan një kohë shumë e shkurtër nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ai tha se Forcat e Armatosura do të kenë mandat të ri, do të kenë kapacitete mbrojtëse.
Sipas tij, Forcat e Armatosura do të jenë të gatshme dhe të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.