Beteja e fituar te fqinji, shtyn në vetëkontroll fqinjin

66

drapeau_grecNga Aleksandër Çipa 

Shqip

Greqia shtetërore ka arritur një fitore madhore në pikun e krizës ekzistenciale të vitit 2013. E ka kryer këtë akt gati sublim, pikërisht në një ndër momentet më të rrezikshme të historisë moderne të saj. Nuk është fjala se ka ndalur një të keqe me emrin e një partie politike parlamentare neonaziste, siç quhet “Agimi i Artë”, por është akti që e ngriti ligjin dhe demokracinë e atdheut antik të demokracisë, në lartësinë e një shteti ligjor.

Kushtetuta e vendit triumfoi mbi tërheqjen e çuditshme që ngjau gjatë periudhës së shpërthimit të krizës së falimentit ekonomik dhe financiar të shtetit. E rënë në këtë gjëmë falimenti, Greqia shtetërore u mbush dhe zjarrmoi nga “vlaga” e pakënaqësisë dhe dëshpërimit social. U shndërrua në sheshet dhe kryeqendrat e metropoleve të veta urbane në një vend, ku zien prej disa vitesh revolta dhe protesta qytetare. Në këtë shkulm reagimesh, forcat dhe segmentet e ekstremizmit, të armatosura me llojet e urrejtjeve etnike, raciste, politike dhe terroriste e kapën momentin për strukturim, organizim dhe përfaqësim politik. Nga kjo “mitër” e së keqes politike, kriza dhe dëshpërimi social, lindën falangat neonaziste dhe u grupuan duke ndryshuar kriteret, strukturën dhe vlerat e konkurrimit politik brenda klasës dhe në vendin bosh që la elita politike dhe ajo e përfaqësimit grek. Vendi fqinj i Shqipërisë u tromaks nga sjelljet brutale dhe manifestimet që solli skota e re neonaziste në skenën politike dhe atë të debatit publik. Një reminishencë e paplotë me periudhën e juntës së kolonelëve në vitet 1967-1974, kur antifashistët dhe viktimat gati gjysmëmilionëshe të këtij vendi ndien peshën vrastare dhe gjakderdhjen e tmerrshme kombvrasëse. Ata e shfrytëzuan maksimalisht dhe me dinakërinë më të madhe, krizën e thellë të besimit ndaj klasës politike dhe përfaqësimit politik të keqpërdorur në disa dekada të fundit. Neonazistët u shfaqën pikërisht ndërsa Greqia dhe shoqëria aktuale greke kacafyten me dallgët e larta dhe tërmetet e fuqishme det-hedhëse të ekonomisë dhe gjendjes bankare, ndërsa depresioni kombëtar është një dramë me disa akte vijuese.

Por ky triumf i vendit dhe shtetit mbi neohitlerianët e futur deri në Parlament, ka peshë dhe vlerë shumë e shumë herë më tepër sesa kriza ekonomike dhe ajo financiare. Greqia e sotme mund të fundoset edhe më tej nga kriza financiare, por do të sakatohej krejt nga dimensionimi dhe shtimi në peshë politike i “Agimit të Artë” dhe falangave të tjera solidare apo të ngjashme me të. Është një nder në emër të demokracisë, në emër të sistemit dhe natyrisht në emër të ardhmërisë së vet, atdheut të lashtë të mendjediturve që jetojnë për gjithëkohësinë njerëzore, kjo fitore e sotme ligjore dhe ekzekutive mbi strukturën më të madhe legale të ekstremizmit neonazist grek. Natyrisht kjo betejë e fituar në Greqi, ka ende kapituj të vështirë. Ka momente të tjera të rrezikshme dhe parathënie trazimesh për të cilat gjithë grekët dhe sidomos ligjzbatuesit dhe pjesa e shëndoshë e klasës politike janë më të ndërgjegjshëm se kurrë. Tashmë në Greqi nuk është frika financiare që shpërfill rrezikun e ekstremizmit politik, siç ngjau në katër pesë vjetët e fundit. Rendin e rrezikut e përcaktoi përfundimisht reagimi kushtetues i shtetit dhe i vendit. Kjo është një fitore që nuk vlen vetëm për këtë vend dhe shoqërinë e saj, ky është një sukses me efekte dhe rëndësi mbi fqinjët dhe sipas shumë të thënave në mediat ndërkombëtare, edhe për Europën.

Por ne le ta shohim si fqinj:

Zjarri te fqinji në mos skuq dhe ngroh fqinjin e tij, së paku, i djeg sytë me tymin. Kjo metaforë filozofike për ndërsjelltësinë shkëmbyese mes dy fqinjëve, bëhet edhe më tepër aktuale në rastin e rreziqeve që përcillte dhe injektonte ekstremizmi dhe neonazizmi i “Agimit të Artë” në Shqipëri.

Kanë qenë dhe janë ende disa individë me origjinë nga Shqipëria, që jo vetëm krenoheshin me protagonizmin e tyre në radhët e kësaj strukture politike ekstremiste në Greqi, por që “trimërisht” u inkurajuan dhe guxuan të ndërmerrnin demonstrime dhe veprime fyese, cenuese për integritetin ligjor dhe shtetëror të Shqipërisë.

Rastet e sjelljes së tyre në varrezat e Himarës apo në pikat kufitare me Greqinë, nuk mund të lihen thjesht si episode spontane të shkuara tashmë. Veprimi ligjor i Greqisë, duhet mbështetur me veprime ligjore dhe hetimore edhe në Shqipëri. Mediat greke dhe ato shqiptare, kohë pas kohe, kanë evidentuar jo vetëm shumëpërfshirjen e elementëve nga pakica greke dhe shtetas të tjerë me statusin e fituar në Greqi si homogjenë grekë, por edhe gatishmërinë e tyre për një protagonizëm të ardhëm politik dhe etnik, i cili mund të konsiderohet si një parathënie për incidente, provokime dhe insinuata mes dy vendeve, mes dy shoqërive të dy kombeve fqinje, mes emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe minoritarëve grekë në Shqipëri. Në mos struktura, siç kanë pretenduar publikisht udhëheqësit e këtij subjekti që gjenden në paraburgimet e komisariateve të policisë dhe prokurorisë greke, në Shqipëri ata mund të kenë elementë dhe misionarë që nuk heqin dorë jo vetëm nga ndërgjegjja e tyre kriminale si neonazistë, por edhe nga mender ideali i tyre racist antishqiptar. Fitorja ligjzbatuese në Greqi, duhet mbështetur me një reagim verifikues ligjor dhe në përputhje me kërkesat për garantim të sigurisë kombëtare dhe ligjeve antiekstremizëm e antiterrorizëm. Në këtë kontekst aleanca ndërshtetërore mes Greqisë dhe Shqipërisë e bën të natyrshëm veprimin e organeve hetimore dhe investigative shqiptare për pronat e fshehura dhe pasuritë e neonazistëve grekë në Shqipëri. Tani duhet bërë, pasi vetëm tashmë nuk lihet dhe nuk krijohet asnjë keqkuptim apo paragjykim, (për shkak të ngarkesave nacionaliste apo etnike), ndaj kësaj kategorie dhe elementëve të përfshirë në strukturat e rrezikshme të saj. Neonazistët grekë e kanë konfirmuar dhe provuar prej kohësh aleancën me individë dhe deri edhe grupe të tillë që kanë dhe mbartin shtetësinë shqiptare. Një gatishmëri dhe nismë ndërvepruese institucionale mes dy vendeve në këtë kontekst dhe njëkohësisht destinacion, rikonfirmon vullnetin e dy shteteve europianiste në përballje me strukturat dhe falangat e organizimeve dhe subjekteve politike që rendin të shfrytëzojnë tranzicionin dhe krizat në vendet tona. Aq më tepër që historia konservatore e shteteve politike në Ballkan e ka aq të shumëshpallur anti-tabunë bashkëpunuese të krimit dhe ekstremizmit gjithëfarësojsh, pavarësisht përkatësisë etnike. Beteja e fituar në Greqinë fqinje në këtë rast, vlen si gëzim dhe inkurajim autokontrollues edhe për fqinjësitë e saj, aq më tepër Shqipërinë.