BE vë në shënjestër eksportet gjermane

50

rama barrosoDW

Kush kritikon kampionin botëror në eksporte, Gjermaninë, duhet të presë reagime të forta. Këtë e kishte të qartë edhe komisioneri i BE-së për politikën monetare, Olli Rehn, e megjithatë shprehu habi në Bruksel për “stuhinë publicistike prej disa ditësh, megjithëse raporti i Komisionit të BE-së për rreziqet ekonomike në Evropë, nuk është miratuar ende zyrtarisht.” Gjermania ka prej vitesh një tepricë pozitive në bilancin tregtar, pra shet më shumë mallra jashtë nga sa importon. Teprica e bilancit tregtar arriti në vitin e kaluar 190 miliardë euro. Komisioni Evropian dyshon për ekzistencën e një dobësie strukturore, të një disbalance, e cila tani do të shqyrtohet, njoftoi Olli Rehn.

“Kjo nuk është qesharake”

Ky njoftim e inatos fort eurodeputetin Heribert Reul (CDU): “Sukseset e eksporteve gjermane bazohen në produkte cilësore konkurruese”, thotë Reul. “Të frenosh pikërisht lokomotivën e ekonomisë evropiane, do të thotë të çosh prapa gjithë Evropën në plan ndërkombëtar”. Shoqata sipërmarrjesh dhe opinionistë gazetash në Gjermani mbajtën të njëjtin refren.

Akuzën se shqyrtimi i bilancit tregtar të Gjermanisë është qesharak përballë problemeve masive të shteteve të tjera të BE-së, presidenti i Komisionit të BE-së Barroso, disi i ofenduar, e hodhi poshtë: “Kur Komisioni i BE-së përmbush detyrimin e tij kjo nuk është qesharake. Ky është parakusht për një drejtim serioz të politikës ekonomike në Evropë.”

Më parë qeveria amerikane por edhe specialistë të politikave ekonomike nga Franca, Italia dhe vende të tjera në krizë, e patën kritikuar sufiçitin e bilancit tregtar gjerman, pasi sipas tyre ai shkon në kurriz të shteteve më të varfëra të BE-së.

“Evropa ka nevojë për më shumë Gjermani”

Jose Barroso në një konferencë për shtyp në Bruksel, bëri disa herë të qartë se nuk është aspak fjala për të frenuar apo akoma më keq dënuar Gjermaninë. Komisioni i BE-së vetëm shqyrton zhvillimet e politikave ekonomike, gjë për të cilën është i detyruar në bazë të marrëveshjeve të BE-së. Krahas Gjermanisë shqyrtime të tilla do të bëhen edhe për 15 shtete të tjera të BE-së. “Kjo nuk duhet të kuptohet si kritikë ndaj aftësisë konkurruese të Gjermanisë. Përkundrazi: për Evropën është mirë që Gjermania të vazhdojë këtë rritje të orientuar drejt eksporteve”, vazhdoi më tej Barroso në përpjekje për të zbutur situatën. Ai shtoi se pikërisht vendet në krizë mund të mësojnë jo pak nga kjo aftësi konkurruese. “Ne do të dëshëronim më shumë ‘Gjermani’ në Evropë.”

Rezultati i vlerësimeve do të prezantohet pranverën e ardhshme. Nëse prej tyre do të burojnë pasoja praktike apo rekomandime të reja politike, është krejt e hapur. Komisioneri për politikën monetare Olli Rehn tërhoqi vëmendjen se Këshilli Evropian, pra kryetarët e shteteve dhe qeverive në BE, përfshirë Kancelaren Merkel, kanë kërkuar një stimulim të kërkesës së brendshme në Gjermani që në verë 2013. “Gjermanët diskutojnë edhe vetë nëse investojnë sa duhet në vendin e tyre. Në maj ne tërhoqëm vëmendjen për disa fusha të cilat Gjermania duhej t’i mbante parasysh për të forcuar kërkesën e brendshme. Këtu bën pjesë edhe hapja e sektorit të shërbimeve”, tha Rehn në Bruksel. Në raportin e Komisionit të BE-së thuhet gjithashtu se nga Gjermania del shumë kapital. Për ekonominë dhe kërkesën e brendshme të Gjermanisë është më mirë nëse ky kapital investohet brenda vendit, siguroi Rehn.

Evropa e ndarë në veriun e pasur dhe jugun e varfër

Ndërkohë që tonet për Gjermaninë ishin të buta, në dëftesat e përvitshme të Komisionit të BE-së për politikat ekonomike, notat për vendet e tjera ishin më pak të mira. Francës, Italisë dhe Hungarisë iu është kërkuar që më parë me insistim të realizojnë reforma strukturore. Nëse kjo është bërë, do ta tregojë një analizë e re e Komisionit të BE-së. Edhe Spanja, Sllovenia, Greqia dhe Qipro duhet të bëjnë më shumë për të rritur aftësinë konkurruese tha komisionieri Rehn. Në përgjithësi ekonomia evropiane është në rrugën e përmirësimit. Ekonomia po hyn në shtegun e rritjes. Deficitet e buxheteve publike ngadalë po reduktohen. Për këtë arsye politika e kursimeve mund të ngadalësohet disi.

Jo aq pozitive i sheh zhvillimet në tregun e punës komisioneri përgjegjës Laszlo Andor. Numri i të papunëve është shumë i lartë në shumë shtete anëtare. Rreziqet për të rënë në varfëri janë në rritje. Hendeku mes shteteve të varfëra dhe atyre të pasura në Evropë po thellohet vazhdimisht, tha Andor.

Raportet e prezantuara të mërkurën (13.11.) janë pjesë e të ashtuquajturit semestër evropian, i cili duhet të ndihmojë në mbikqyrjen dhe drejtimin e politikës ekonomike të 28 shteteve anëtare. Rregullat e reja u përcaktuan ndër të tjera në kuadër paktit fiskal të BE-së pas krizës financiare dhe të borxheve. “Në ditët e sotme në Bashkimin Evropian e para së gjithash në eurozonë, politika ekonomike nuk është më vetëm përgjegjësi kombëtare por me rëndësi për gjithë Evropën”, tha presidenti i Komisionit Jose Barroso. Të premten BE për herë të parë do të vlerësojë buxhetet kombëtare të vendeve anëtarë për vitin e ardhshëm dhe do të japë një vlerësim për zhvillimin e borxheve dhe planet për reforma. Për këtë, të gjitha shtetet anëtare, duhej të paraqisnin për shqyrtim në Bruksel, buxhetet e tyre