Sipas Memos së bërë publike nga Komisioni Europian, gjatë takimit, 7 liderët e partive kryesore të Bosnjë Hercegovinës ranë dakord për implementim të plotë të vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, çështja Sejdić-Finci, duke respektuar principet e mëposhtme:
– Pranim i plotë i nevojshmërisë për të implementuar vendimin gjyqësor në mënyrë urgjente, duke i krijuar të drejtën çdo qytetari të BH, për të marrë pjesë në zgjedhjet për Presidentin e BH dhe në Dhomën e Popullit.
– Presidenca e BH duhet të konsistojë në tre anëtarë të zgjedhur në formë direkte.
– Dy anëtarë do të zgjidhen direkt nga territori i Federatës (FBH) sipas modelit të miratuar dhe njëri anëtar do të zgjidhet direkt nga territori i Republika Srpska (RS).
– Një qytetar nga BH, i cili është regjistruar të votojë për Distriktin e Brčko duhet të ketë të drejtën të votojë për anëtarin e Presidencës ose në RS ose në FBH, sipas legjislacionit në fuqi.
– Rënia dakord deri më 10 tetor mbi modalitetet elektorale, që duhet të përkojnë me shqetësimet legjislative të Popujve Përbërës dhe të “Tjerëve”, ndërsa përmbushin standardet ndërkombëtare. Metoda e zgjedhjes e dy anëtarëve të Presidencës nga FBH nëpërmjet Amendamenteve të Kushtetutës dhe Ligjit Elektoral, duhet, në plotësim të vendimit të Gjykatës së Strasburgut, të evitojë imponimin e rezultatit zgjedhor ndaj Popujve Përbërës dhe të ‘Tjerëve’
– Partitë bien dakord të finalizojnë modalitetet për krijimin e një mekanizmi koordinimi efikas mbi çështjet e BE-së, duke respektuar principin e përfshirjes të bazuar në kompetenca, të aktualizuar edhe në kushtetutat e BH, që do të prezantohen më 10 tetor.
– Sesioni i tretë i Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Procesin e Aderimit do të rinisë më 10 tetor në Bruksel, nën kryesimin e Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle. Komisioneri Fyle deklaroi pas takimit, se patën një diskutim të mirë dhe se është bërë shumë punë. Ai shtoi gjithashtu, se u vendos të ndalohet në këtë sesion të tretë të HLDAP, për të rinisur më 10 tetor. Sipas Fyles, takimi ishte produktiv, ku gjithë pjesëmarrësit punuan seriozisht, duke dhënë një kontribut konstruktiv./i.t/