BE reagon sërish mbi ngjarjet në Turqi

31

catherine-ashtonBE ka shprehur gjatë këtyre ditëve shqetësimin e saj, në lidhje me përkeqësimin e situatës në Turqi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe në të njëjtën kohë Zv. Presidente e Komisonit Europian, ka dhënë një deklaratë në lidhje me situatat e fundit në Turqi. Ashton shpreh shqetësimin e BE-së në lidhje me përdorimin e tepruar të dhunës nga ana e autoriteteve turke, si edhe ka insistuar në gjetjen e një zgjidhje, të bazuar në një dialog gjithëpërfshirës.

Përfaqësuesja më e Lartë e BE-së, Catherine Ashton në një deklaratë të bërë dje, mbi situatën në Turqi ka theksuar, se vazhdon të ndjekë nga afër zhvillimet dhe se është e shqetësuar për situatën. Ashton duke shprehur keqardhjen në lidhje me vdekjet dhe plagosjet, që kanë ndodhur në Turqi, ka insistuar se është thelbësore që dhuna të ndalojë dhe të gjithë rastet e përdorimit të ekzagjeruar të forcës nga policia të njihen si të tilla dhe të hetohen.

Ashton ka theksuar nevojën për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë, të bazuar në dialog, respekt reciprok, në mirëkuptim dhe përfshirje. Ajo ka shtuar gjithashtu se, një angazhim i hapur dhe i vazhdueshëm i autoriteteve është thelbësore për riforcimin e demokracisë, ndërtimin e besimit dhe shmangien e përshkallëzimit.

“Negociatat e pranimit të Turqisë në BE dhe angazhimi në kriteret e Kopenhagenit, ofrojnë kuadrin për sigurimin e një angazhimi të plotë dhe garanci për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, në përfitim të gjithë qytetarëve të vendit, pa diskriminim. Këto përfshijnë lirinë e shprehjes, lirinë e grumbullimit, lirinë fetare, të besimit dhe të mendimit, dhe lirinë e medias, duke përfshirë përgjegjësinë, për ta ushtruar atë aktivisht. Media sociale, nuk duhet të jetë nën presion arbitrar. Çdo kufizim, duhet të jetë në mënyrë strikte, brenda limiteve të përcaktuara nga GJEDNJ dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së. BE është plotësisht e angazhuar në përforcimin e dialogut më Turqinë, në këto çështje të rëndësishme dhe në progresin e mëtejshëm në procesin e negocimit të Turqisë në BE”, – ka deklaruar Ashton.

Deklarata e Ashton vjen pas deklaratës së Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fule, ku u theksua përdorimi i tepruar i forcës nga ana e autoriteteve turke, përballë protestuesve. Kjo deklaratë shkaktoi polemika, duke u shoqëruar me një prononcim të Kryeministrit turk Erdogan, i cili akuzoi BE-në për hipokrizi, duke i kujtuar dhunën policore të përdorur në Francë, Londër dhe Greqi. Kryeministri turk, i ka rikujtuar edhe njëherë BE-së, zvarritjet në procesin e negociatave me Turqinë, si edhe faktin se BE arrin të krijojë lehtësira në procesin e Shengenit edhe me vende të Amerikës Latine, por jo me Turqinë, që është për më tepër një vend kandidat.