Ministrat e financave po presin ende raportin vendimtar verifikues të Trojkës, pra të përfaqësuesve të Komisionit të BE, të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Qendrore Evropiane.
“Tani është e rëndësishme që të përfundojë verifikimi dhe të lëvrohet shuma që ishte premtuar më parë. Por kjo nuk ka ndodhur deri tani. Do t’i kthehemi më vonë kësaj çështjeje,” tha presidenti i këshillit të ministrave të financave të Eurozonës Jeroen Dijssebloem.
Por për momentin, shumicën e herëve Trojka dhe qeveria greke në diskutimet javore në nivel nëpunësish shpeshherë nuk bien dakort me njëra-tjetrën. Kryetarët e Trojkës u larguan në dhjetor në një atmosferë protestash nga Greqia dhe do të kthehen pas pak ditësh në Greqi.
Aktualisht bëhet fjalë për boshllëqe të pambuluara në buxhet në shumën dy miliardë euro, që Trojka i sheh për vitin 2014. Deri tani Greqia ka marrë 250 miliardë euro kredi. Prej muajsh përmendet një nevojë tjetër prej rreth 10 miliardë eurosh.