BE burgos emigrantët e paligjshëm

80
AI/ Emigrante ne Itali/ AP Photo
AI/ Emigrante ne Itali/ AP Photo

Sipas raportimeve të Amnesty International, vitet e fundit, vendet e Bashkimit Europian kanë përforcuar masat e kontrollit në kufi, në mënyrë që të pengojnë emigrantët dhe kërkuesit e azilit që të penetrojnë në Europë. Disa nga këto dispozita kanë çuar në dhunim të hapur të të drejtave të njeriut. Shtetet Europiane kanë detyruar emigrantët që të kthehen në vendet e tyre, në vende ku rrezikojnë që të drejtat e tyre të dhunohen, kryesisht nëpërmjet torturës dhe ndalimit arbitrar.

Emigrantët, që tentojnë të kalojnë detin me synim arritjen në vendet Europiane, shpeshherë gjejnë vdekjen. Llogariten të paktën 1500 persona, të cilët kanë humbur jetën duke tentuar kalimin e Mesdheut. Problematika këtu, është shfaqur në momentin që direktivat ose politikat shtetërore të vendeve evropiane, shkojnë në sinkron me mos realizimin siç duhet të operacioneve të shpëtimit dhe të deportimit.

Nga ana tjetër, shumë prej tyre që shpresojnë të vijnë në Europë, burgosen me periudha të zgjatura. Normat Europiane dhe Ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e njeriut përcaktojnë qartë, se, në ç’rrethana është e mundur burgosja e një personi. Në asnjë rast, kjo burgosje nuk duhet të jetë arbitrare, e panevojshme apo disproporcionale. Duhen kërkuar dhe përshtatur masa më pak shtrënguese. Për sa i përket minorenëve dhe kryesisht atyre të pashoqëruar, nuk duhet në asnjë mënyrë të vendosen në vendet e burgimit, për arsye të statusit të tyre migrues.

Sipas AI, ajo çka konstatohet në Europë, është tendenca në rritje e kriminalizimit të emigrantëve klandestin. Disa vende europiane kanë futur në sistem, përndjekjen penale për hyrjen në mënyrë të parregullt në territor. Vende të tjera, sanksionojnë gjithashtu personat, që u vijnë në ndihmë personave emigrantë.

Në shumë vende europiane, funksionarët, mësuesit, dhe mjekët, që hyjnë në kontakt me emigrantët e parregullt, kanë detyrim ligjor të lajmërojnë autoritetet. Duke sjellë si pasojë faktin që fëmijët, gratë shtatzëna, personat që kanë probleme shëndeti kronik, nuk mund të sigurojnë përkujdesje mjekësore, nga frika se mos sinjalizohen në polici. Prindërit janë shumë të frikësuar të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Emigrantët kanë frikë të denoncojnë krimet dhe kërcënimet e të drejtave të njeriut, siç është shfrytëzimi në punë, nga frika se mos shteti i largon.

AI, kërkon vendosjen në jetë të këtyre masave: të drejtën e respektimit në kufi, përgjatë kontrolleve dhe operacioneve të kthimit, si edhe përfshirjen e kërkesave për azil, të drejtën për liri, duke përdorur burgosjen vetëm, si masë e fundit shqyrtuese dhe  minorenët  të mos vendosen në vendet e burgimit, me synimin e vetëm që të kontrollohet emigracioni, dhe së fundmi popullatat në lëvizje, nuk duhet të jenë më viktimë e kërcënimit vetëm si pasojë e statusit të paligjshëm të emigrantit. Abuzuesit dhe dhunuesit duhet të vihen përpara përgjegjësisë, sipas AI.

A. Blushi