Sipas një komunikimi për shtyp të Komisionit Europian, rrjeti Europian ATLAS, që përbëhet nga njësitë speciale të forcave policore të 27 vendeve anëtare dhe që aktualisht është nën presidencën gjermane, po organizon operacionin më të madh simulues antiterrorist në rang evropian. Sot dhe nesër, në 9 vende të ndryshme evropiane, Austri, Belgjikë, Irlandë, Itali, Letoni, Sllovaki, Spanjë, Suedi dhe Rumani, po organizohen ushtrime simuluese nga rrjeti ATLAS, i cili merret me përgatitjet më komplekse dhe simulimet e përgjigjeve ndaj krizave në nivel Europian. Simulimet përfshijnë sulme të menjëhershme terroriste, paralelisht në 9 shtete të ndryshme evropiane.
Gilles de Kerchove, Koordinatori i Luftës kundër Terrorizmit, në BE, deklaroi se, në Europë ne vazhdojmë të përballemi me një kërcënim serioz terrorist, dhe se ne po punojmë që ti mbrojmë sa më mire qytetarët europian. Ky simulim, që po organizohet në 9 vende europiane njëkohësisht, është më i madhi i organizuar ndonjëherë.
Komisioneria e BE-së për Punët e Brendshme, Cecilia Malmström deklaroi gjithashtu se, lufta kundër terrorizmit është një nga sfidat kryesore të sigurisë sonë të brendshme. Terrorizmi nuk njeh kufij dhe mbajtja e sigurisë publike është një sfidë komplekse, e cila kërkon koordinimin e përpjekjeve tona. Ajo deklaroi gjithashtu, se beson që bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve policore në Europë, është tashmë më e nevojshme se kurrë dhe se ajo e mirëpret ushtrimin e rrjetit ATLAS.
Rrjeti ATLAS, kontribuon në rritjen e efikasitetit dhe të ekspertizës së njësive te ndërhyrjes speciale, duke ndërtuar platforma të përbashkëta për trajnime dhe taktika, duke ndarë pajisjet dhe duke ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në hapësirën ndërkufitare të shteteve anëtare. Sulmet e kaluara terroriste, të kryera si nga individë po ashtu edhe nga grupe, si jashtë Europës po ashtu edhe brenda saj, kanë shfaqur një sofistikim të madh dhe koordinim të grupeve terroriste. Më 2008, sulmet e koordinuara të Mumbai, sulmet e Al Kaedës më 2012, ndaj zonës së prodhimit të gazit, si edhe sulmet e fundit me bomba në Maratonën e Bostonit, nënvizojnë nevojën e rritjes së mbrojtjes kundrejt sulmeve, si në infrastrukturën kritike dhe në mjediset publike, në një kontekst kombëtar dhe ndërkufitar. Në mënyrë që tu sigurojmë mbrojtje të njëjtë, gjithë qytetarëve të BE-së, rrjeti ATLAS shkëmben praktikat më të mira, procedura si edhe ndërmerr ushtrime të përbashkëta trajnuese. Në mënyrë që BE, të jetë e përgatitur kundër sulmeve terroriste, simulime të vërteta të jetës reale, do të kryhen nga anëtarët e ATLAS të njësive antiterroriste nga Shtete të ndryshme Anëtare.
‘Sfida e Përbashkët’, është quajtur trajnimi simulues i sulmeve terroriste, në 9 shtete të ndryshme të BE-së, në ambiente të ndryshme publike. Shënjestra të simuluara terroriste përfshijnë sulme në termocentrale, shkolla, mjetet e ndryshme të transportit publik (tren, autobus, anije). Ky simulim, më i madh i këtij lloji në rang europian, do të ndihmojë në praktikimin dhe nxjerrjen e mësimeve, se, si të fuqizohen më tej përgatitjet dhe përgjigjet e krizave. Drejtoria e Përgjithshme për Punët e Brendshme, është përgjegjëse për koordinimin e ushtrimeve simuluese, të cilat kryhen në bashkëpunim me Presidencën e ATLAS, të mbajtur nga njësitë Speciale të Policisë Gjermane (GSG9).
Rrjeti ATLAS është një shembull i pozicionit pro-aktiv kundër terrorizmit dhe nënvizon solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve anëtare të Bashkimit Europian, siç është rregulluar nëpërmjet nenit 222, të Traktatit të Lisbonës, duke kontribuar në sigurimin dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurisë publike në BE.
Rrjeti ATLAS, është krijuar më 2001, është një shoqatë e përbërë nga njësi speciale të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, që merren me luftimin e terrorizmit dhe akteve të tjera kriminale. Rrjeti financohet dhe mbështetet nga Komisioni Europian, Drejtoria e Përgjithshme e Punëve të Brendshme. Qëllimi i rrjetit ATLAS është përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet njësive policore dhe vlerësimi i aftësive nëpërmjet trajnimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.