Mjekët kanë konfirmuar rreth orës 14.00 vdekjen e 48-vjeçarit i cili kishte marrë plagë të rënda dhe dëmtime të parekuperueshme në organët jetësore të trupit.
Çela në momentin e shpërthimit ka humbur shumë gjak për shkak të dëmtimit në të dyja këmbët dhe kjo ka qënë fatale për jetën e tij, ndërsa mjekët kanë konfirmuar gjithashtu se ai kishte marrë edhe plagë në kokë.
Xhemal Çela u bë një ditë më parë pre e një atentati me lëndë shpërthyese ndërsa udhëtonte me makinën e tij në zonën e plazhit në Durrës.
Fillimisht Çela në rrethana ende të paqarta ka tentuar të ndalojë e të dalë nga makina kohë në të cilën ka ardhur edhe shpërthimi. Përveç eksplozivit që i shkaktoi dëmtime të rënda, makina u përfshi dhe nga flakët.
Ndërkohë policia e Durrësit ende s`ka ndonjë pistë konkrete rreth motiveve megjithë nuk përjashtohet shkak biznesi ku ishte i përfshirë viktima.
Pas ngjarjes në polici kanë përfunduar 25 persona që ose dyshohen ose janë njerëz që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Ky është rasti i dytë brenda një jave ku eksplozivi bëhet mjet për atentate të bujshme. Pak ditë më parë në të njëjtën mënyrë u hodh në erë makina e kryekomunarit të Qëndrës në Vlorës, Fredo Berberi por për fat i mbijetoi plagëve të marra.