Aksion në hyrje të Lazaratit, policia bllokon punëtorët

60

Policia-duke-prere-rrenjet-e-hashashitPas pamjeve të transmetuara në televizionin “News24”, që tregonin “dyndjen” e punëtorëve drejt Lazaratit, Policia e Gjirokastrës ka nisur një aksion prej orës 6:00 të mëngjesit, për bllokimin e punëtorëve, makinave me pleh dhe boteve me ujë që hyjnë në Lazarat për kultivimin e kanabisit.

Mësohet se deri tani policia ka arritur të bllokojë 5 kamionë me pleh dhe ujë, ndërsa ka shoqëruar në komisariat 58 shtetas që udhëtonin në drejtim të Lazaratit, të cilët mendohet se punojnë për kultivimin e kanabisit. Ndërkohë aksioni i policisë vijon ende.

“Prej orës 06.00 të mëngjesit të sotëm, efektivët e policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Gjirokastër kanë nisur aksionin për bllokimin e boteve me ujë e pleh që hyjnë në Lazarat për të kultivuar kanabis. Gjithashtu edhe për të bllokuar punëtorët që hyjnë në Lazarat që nga informacionet tona që disponojmë këta shtetas punojnë për të kultivuar kanabis. Operacioni vijon ende”,- bëri të ditur Policia e Gjirokastrës.

I njohur si bastioni më i “nxehtë” i kultivimit të drogës, Lazarati, i cili ka sfiduar shtetin në kultivimin e bimëve narkotike, është kthyer në një ndërmarrje gjigante punësimi për mijëra banorë të fshatrave dhe qyteteve të qarkut. Çdo mëngjes, prej orës 6:00 deri në orën 7:00, dhjetëra furgonë të Lazaratit presin punëtorët në hyrje të Gjirokastrës, në vendin e quajtur “Ura e Lumit” apo edhe në stacione të autobusëve. Për këta banorë, puna në Lazarat është një punë luksi, duke marrë parasysh faktin se aty nuk ka ‘vizë’ për të hyrë askush tjetër. Ky vit në Lazarat ka thyer edhe rekordin e mbjelljes së lëndës narkotike, duke u shtuar qindra plantacione e madje për herë të parë lazaratasit kanë sjellë edhe farën e re të kanabisit, me afat kohor rritjen në dyzet ditë. Vlera e saj arrin në 2500 euro për farë, e siguruar nga banorët në Holandë apo Zvicër. Kjo farë u sjell banorëve dy herë fitime marramendëse, pasi karshi saj, banorët mbjellin edhe bimën normale të kanabisit, që e ka ciklin 4-5 muaj.

Punëtorët e ‘uritur’ për të punuar në këtë fshat paguhen me shifra të cilat u japin në fund të muajit një rrogë të majme, pagesa e të cilëve arrin në 1500–2000 lekë të reja në ditë. Edhe pse policia nisi një fushatë të gjerë për goditjen me çdo kusht të kultivimit të lëndëve narkotike, kjo nuk e pengon aspak fshatin Lazarat të thyejë rregullat e të dalë mbi ligjin. Të njohur me punësimin dhe pagesat në këtë fshat, dhjetëra furgonë vijnë çdo mëngjes nga Tepelena apo edhe Përmeti, të cilët, sapo zbresin, priten nga furgonët transportues drejt fshatit-shtet.