Të shtëna me armë në Bit Pazar, tregtarët përplasen ashpër me policinë

61

bit pazarPolicia maqedonase ka shtënë me armë në mes Pit Pazarit në Shkup. Gjithçka ndodhi gjatë një aksioni të policisë maqedonase për të sekuestruar fishekzjarret në këtë treg. Ky aksion ka ndeshur në kundërshtimin e tregtarëve e për këtë arsye një pjesëtar i njësitit policor “Alfa” ka qëlluar në ajër me armë automatike. Ndërsa më pas ka arrestuar një prej tregtarëve dhe i ka sekuestruar atij mallin.

Ky veprim ka ngjallur një tjetër reagim më të ashpër të tregtarëve të cilët përreth 40 minuta bllokuan forcat e policisë. Tregtarët janë mbështetur edhe nga kalimtarë të rastit ndërsa në ndihmë të njësisë policore “Alfa” kanë shkuar edhe disa automjete të tjera të policisë. Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar përplasjet fizike mes tregtarëve dhe policisë.

Është dashur rreth gjysmë ore kohë që policia dhe pjesëtarët e njësitit “Alfa” të tërhiqeshin. Ata liruan të riun e arrestuar dhe kthyen mallin e konfiskuar. Ministria e Brendshme nuk e ka komentuar ngjarjen por ka deklaruar se do të vlerësohen rrethanat dhe motivet që çuan në të shtëna me armë në një vend publik.