Ministri i Jashtëm norvegjez Borge Brende tha se vendi i tij do të dërgojë një anije civile dhe një fregatë të marinës në portet siriane për të marrë stoqet e armëve kimike të cilat do të dërgohen diku tjetër për asgjësim.
Në një intervistë me Agjencinë e Lajmeve Associated Press, Zoti Brende e cilësoi shkatërrimin e arsenalit të Asadit si një detyrim norvegjez. Ai i bëri komentet në Uashington, ku ndodhej për t’u takuar me Sekretarin e Shtetit John Kerry dhe ligjvënës të lartë amerikanë.
Organizata e OKB-së për Parandalimin e Armëve Kimike është ende duke përpunuar planet për shkatërrimin e rezervave kimike të Asadit. Danimarka po shqyrton një ndihmë të ngjashme për transportimin e lëndëve kimike dhe është në pritje të miratimit nga parlamenti.
Organizata e OKB-së pritet të njoftojë të premten strategjinë e saj për heqjen e armëve deri në mars të 2014-s dhe pastaj shkatërrimin e tyre. Zyrtarët ende nuk kanë konfirmuar nëse armët do të shkatërrohen jashtë Sirisë, edhe pse e kanë cilësuar këtë si alternativën më të mundshme.
Zoti Brende tha se ende janë në shqyrtim e sipër hollësitë lidhue se nga cili port sirian do të transportohen armët. Ai nuik tha se në cilin vend do të dërgoheshin armët.
Pas njoftimeve se Shqipëria ishte një destinacion i mundshëm, rreth 5 mijë veta demonstruan të enjten përballë parlamentit dhe kryeministrisë në Tiranë.
Vendi që do të bëjë shkatërrimin e armëve mund të marrë ndihmë të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vende të tjera. Zoti Brende tha se SHBA pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e asgjësimit./voa/