Në ditën e tretë të mbylljes së qeverisë si rezultat i ngërçit politik, debati në Kapitol u ndërpre nga një sfidë sigurie. Kapitoli si dhe ndërtesa të Senatit amerikan u bllokuan pas të shtënave pranë Kapitolit. Ligjvënësi demokrat Gerald Connolly tha për Zërin e Amerikës se ishte tronditur nga incidenti:
“Isha në balkon kur u dëgjuan të shtënat. I dëgjuam qartë. Fillimisht menduam se mund të ishin fishekzjarre, por pastaj e kuptuam se ishin të shtëna armësh”.
Frank Schwing, një punonjës qeveritar i pezulluar nga mbyllja e përkohëshme e qeverisë, pa policinë duke ndaluar makinën. Ai bëri komente për shërbimin indonezian të Zërit të Amerikës:
“Policia ndaloi makinën dhe hapi derën. I kërkuan shoferit të dilte jashtë, por ai sprapsi makinën, u përplas me një nga automjetet e policisë dhe u largua me shpejtësi. Në atë kohë dëgjuam ndoshta mbi 10 të shtëna”.
Hetimi vazhdon, por njoftimet bëjnë të ditur se një grua përplasi makinën tek barriera e sigurisë para Shtëpisë së Bardhë dhe më pas u largua drejt Kapitolit. Policia u vu në ndjekje të saj. Ajo u përplas me një makinë të policisë së Kapitolit duke plagosur një polic. Nuk është e qartë nëse gruaja qëlloi me armë, por policia qëlloi në drejtim të saj. Ka njoftime se në makinë me të ishte një fëmijë. Nuk është e qartë përse gruaja u përpoq të futej në Shtëpinë e Bardhë.
Shefi i policisë së Kapitolit Kim Dine thotë se Shtëpia e Bardhë dhe Kapitoli janë të sigurtë:
“Nuk kemi informata se incidenti kishte lidhje me terrorizmin, për momentin po e konsiderojmë si incident të izoluar”.
Disa anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve u futën në mjediset e brendshme për të kërkuar strehim. Ligjvënësi Connolly tha se anëtarët nuk kishin dieni se çfarë po ndodhte:
“Fillimisht ishte sureale. Mjafton ta mendosh, të shtëna në mjediset e Kapitolit. Nuk pata frikë për vete, por po shihja turistët dhe mendoja “Shpresoj se të jenë shëndoshë e mirë”.
Punonjësit e Kongresit janë të përgatitur për skenare të ndryshme në rrethana të rrezikshme, por shpejt e kuptuan se këtë radhë ishte një rrezik real.
Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga republikanët, ka rifilluar tashmë votimet mbi masa individuale për të financuar pjesë të ndryshme të qeverisë. Senati nuk i ka përqafuar këto masa. Beteja politike që vazhdon prej javësh ende nuk ka gjetur zgjidhje, duke rezultuar në mbylljen e pjesshme të qeverisë federale.