Elbasani nuk gjen qetcsi, rikthehen përplasjet e vjetra me shënjestër fisin Çapja. Ardian Çapja, njeriu kryesor, koka e familjes së njohur në Elbasan i shpëtoi atentatit të tretë paraditen e sotme. 55-vjeçari u qëllua me armë zjarri, snajper ushtarak në një atentat të mirë organizuar, pranë shtëpisë, ngjitur me hotel ‘Univers’-in në pronësi të tij në hyrje të qytetit të Elbasanit në zonën e Krastës. Pavarësisht se zona kontrollohet nga familja Çapja ku të gjitha lëvizjet monitorohen me kamera sigurie, autorët arritën që të depërtojnë për herë të tretë, por nuk ia arritën qëllimit.
Çapja arriti që t’i shpëtojë atentatit. 55-vjeçari, mori një plumb në shpatullën e majtë, pranë zemrës. Në momentin që u rrëzua dhe ra në tokë mori edhe një frakturë në kokë. Ai u dërgua në spitalin e Elbasanit fillimisht, por më pas u transportua në Tiranë te ‘Trauma’ nën masa të rrepta për ndihmë më të specializuar. Operacioni zgjati rreth dy orë, ndërsa gjendja e tij paraqitet kritike, pasi humbi shumë gjak. Spitali i Traumës është rrethuar dhe blinduar nga forca të shumta policie.