Krasniqi: Do mbështesim fermerët e Rahovecit

74

Memli-Krasniqi-1Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, gjatë një takim me kryetarin e komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, bisedoi për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015. Ky program, tha ministri Krasniqi parashikon skema të reja të mbështetjes, por edhe rritje të mbështetjes për kulturat bujqësore që përkrahë MBPZHR-ja.
Në këtë drejtim, ai përmendi se sivjet do të ketë subvencionim për perime në fushë të hapur, por edhe në fusha të tjera që më herët nuk kanë qenë në kuadër të masave të aplikuara. Gjithashtu ministri Krasniqi përmendi se do të rritet mbështetja për zgjerimin e sipërfaqeve kultivuese në vreshtari.
“Rahoveci është Komunë e veçantë përsa i përket bujqësisë, e veçanërisht vreshtarisë, verëtarisë dhe perimtarisë dhe ne do të shtojmë mbështetjen në mënyrë që të plotësojmë nevojat e konsumit të brendshëm dhe natyrisht të jemi edhe më konkurrent në rajon”, tha ministri teksa i ka premtuar kryetarit Vehapi thellim të bashkëpunimit.
Nga ana e tij, kryetari i Rahovecit e uroi ministrin për detyrën dhe e falënderoi për gatishmërinë për avancim të projekteve në këtë sektor. Vehapi e njoftoi ministrin për sfidat dhe arritjet e komunës në fushën e bujqësisë dhe shprehu përkushtimin që edhe vetë komuna të aplikojë projekte të reja për bujqësi, si një nga fushat kryesore për zhvillimin ekonomik.