Danimarka fiton Festivalin Evropian, 2013

67

danimarkaKëngëtarja 20-vjeçare ka mposhtur 25 finalistët e tjerë në Malmo të Suedisë me këngën “Only Teardrops”. De Forest ka marrë 281 pikë, për t’u pasuar nga përfaqësuesi i Azerbajxhanit, Farid Mammadov, i cili ka dalë i dyti me 234 pikë. Kënga e tij “Hold me” ka qenë një tjetër performancë e shquar për Azerbajxhanin, i cili vitin e kaluar ka qenë nikoqir i Eurovizionit.  Në vendin e tretë ka dalë Ukraina, përfaqësuesja e së cilës, Zlata Ognevich, me këngën “Gravity”, ka marrë 214 pikë.

Pikët janë dhënë nga juritë kombëtare në 39 vende të Evropës dhe përmes votimit të teleshikuesve. Rregullat kanë ndaluar votuesit të votojnë për përfaqësuesit e vendeve të tyre.

Eurosongu i 58-të me radhë është ndjekur nga 125 milionë teleshikues në mbarë botën. Fitorja e bën Danimarkën nikoqire të garës vitin e ardhshëm. Danimarka ka fituar garën edhe dy herë të tjera – herën e fundit në vitin 2000, kur Vëllezërit Olsen kanë triumfuar me këngën “Fly on the Wings of Love”. Emilie de Forest ka performuar zbathur, e mbështetur nga flauta dhe daullet. Në një intervistë nga Eurovizioni, është shprehur tejet e lumtur për fitoren. 

“Votimi ishte shumë i afërt me vendet e tjera. Jam shumë e lumtur dhe dua të falënderoj Evropën për besimin në mua, besimin në këtë këngë, si dhe miqtë dhe familjen time”, është shprehur de Forest.

Ajo ka thënë se suksesin ia kushton nënës së saj dhe babait të ndjerë.

“Jam shumë e lumtur që kam fituar për Danimarkën dhe posaçërisht në Suedi. Babai im ka qenë suedez dhe ai do të ishte shumë krenar. Thjesht, jam shumë e lumtur”, -ka thënë de Forest.

Në edicionin e sivjetmë, Shqipëria është përfaqësuar me këngën “Identitet” nga Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko, por nuk ka arritur të kualifikohet në finale. Shqipëria merr pjesë në Festivalin Evropian të Këngës që nga viti 2004, kur Anjeza Shahini ka zënë vendin e shtatë me këngën “Imazhi Yt”.

Pos Greqisë, asnjë shtet i Gadishullit Ballkanik sivjet nuk ka qenë i suksesshëm. Në gjysmëfinale kanë mbetur edhe Serbia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bullgaria./evropa e lirë/