PE, Barroso debat me Eurodeputetët mbi gjendjen e Unionit

44
European Parliament
European Parliament

Presidenti i Komisionit Europian, M. Barroso ka mbajtur këtë të mërkurë përpara parlamentit fjalimin e tij të fundit, të kësaj legjislature, mbi gjendjen e Unionit. Presidentët e grupeve politike kanë marrë fjalën për të përcaktuar prioritetet, që sipas tyre do të ndiqen nga Komisioni, muajt e ardhshëm. Ato nënvizuan nevojshmërinë për restaurimin e besimit në BE, duke precizuar, se zgjedhjet europiane të majit 2014, do t’i ofrojnë zgjedhësve një shans të vërtetë për përcaktimin e të ardhmes së tyre. 

Duke hapur debatin, Presidenti i Parlamentit Martin Shulz, shpjegoi se, qytetarët nuk i besojnë më Unionit dhe mënyra kryesore për të rifituar këtë besim, është hapja e portave dhe punimi në mënyrë transparente. Ai insistoi gjithashtu, mbi faktin që BE, duhet të punojë shumë për të përmirësuar jetën e miliona qytetarëve, që vuajnë nga kriza. “Nëse të rinjtë nuk kanë asnjë perspektivë, si mendoni ju se do të kenë besim tek Bashkimi Europian”,- pyeti ai.

Për 8 muaj, zgjedhësit do të gjykojnë rezultatet, që ne kemi pasur këto pesë vitet e fundit”- , deklaroi José Manuel Barroso. Europa ka luftuar kundër krizave, duke reformuar në mënyrë radikale sektorin financiar dhe duke promovuar reforma të tjera strukturore, por Presidenti i Komisionit ka precizuar gjithashtu se “duhet të përveshim mëngët” për të kryer unionin bankar, të luftojmë kundër papunësisë, të fshijmë pengesat në tregun unik dhe të vëmë në jetë vendimet, që janë marrë.

Joseph Daul, i PPE-së ka vlerësuar se, besimi në BE dhe në qeveritë përkatëse është tronditur. Ai deklaroi se, zgjidhjet e thjeshtëzuara nuk përbënin përgjigjen ndaj problemit. Europa nuk është përgjegjëse për këtë krizë. Përkundrazi është falë Europës dhe euros që ne kemi mbijetuar, shpjegoi ai, duke i bërë thirrje qytetarëve të votojnë gjatë zgjedhjeve europiane me synim të vendosin për të ardhmen e Unionit.

Hannes Swoboda i SD-së, rivuri në dyshim optimizmin e Barrosos duke pohuar, se gota është gjithmonë gjysmë bosh. Ai nënvizoi se, masat shtrënguese vazhdojnë të rrisin hendekun midis të pasurve dhe të varfërve, veriut dhe jugut(…) investimet publike dhe private mungojnë. Ai bëri thirrje gjithashtu për bashkim, në afrimin e zgjedhjeve europiane të vitit të ardhshëm, me synim ndërtimin e një Europe më të afërt, një Europe të përbashkët dhe të fortë.

Guy Verhofstadt i ADLE-së, kritikoi Komisionin Europian, se nuk ka vepruar mjaftueshëm për të luftuar kundër ngecjes imediate. “Ringritja ka ardhur në mënyrë të menjëhershme dhe të papritur, por nuk do të ishte e drejtë të shikoheshin vetëm tendencat pozitive. Ne do të konfrontohemi me një periudhë të gjatë stanjacioni dhe ju z. Barroso nuk mund t’ia arrini të propozoni politika, për të shmangur këtë situatë. Ne kemi nevojë për një union bankar, për një zonë euro më shumë të integruar, për një qeveri për zonën euro dhe për një Bankë Qendrore Europiane që lufton PBB”, – deklaroi ai.

Eurodeputeti britanik, Martin Callanan i bëri thirrje qytetarëve të përdorin zgjedhjet e ardhshme europiane për të mundësuar një rinisje të BE-së. “Të duash një model të ri europian nuk do të thotë të jesh antieruopian”, -pohoi ai.

Ne jetojmë në një Europë të ndryshme nga ajo e z. Barroso” deklaroi zv. Presidenti i së majtës të bashkuar Takis Hadjigeorgiou , duke shtuar se, të gjithë politikat e shtrëngimit kanë përkeqësuar krizën, me pasojë papunësinë”. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e demokracisë në gjirin e BE-së, duke rikujtuar se demokracia, nuk është vetëm zgjedhjet europiane, është gjithashtu edhe jeta midis këtyre zgjedhjeve.

Ndërkohë eurodeputeti britanik, Nigel Farrage, kritikoi politikat e z. Barroso. “Ju  vlerësoj perfekt për koherencën. Por, kjo koherencë ka lënë shumë qytetarë në një situatë shumë të vështirë me një përqindje papunësie tek të rinjtë që kalojnë 50% në Mesdhe”,- deklaroi ai. Farrage kërkoi gjithashtu, t’i jepej fund përpjekjeve për të luftuar kundër ndryshimit klimatik, që sipas tij nuk ekziston.

Edhe eurodeputetja britanike, Nicole Sinclaire  pohoi se, Komisioni i z. Barroso nuk i arriti rezultatet e pritura. “Strategjia juaj për Lisbonën u mbyt pa lënë gjurmë, papunësia arriti kulmin dhe qytetarët kanë përshtypjen, se BE nuk funksionon aspak. Është koha të lëmë qytetarët të vendosin realisht për llojin e Europës të nevojshëm në sytë e tyre ,” -deklaroi ajo./im.ta/