BE e shqetësuar për të Drejtat e Njeriut në Rusi

66
foto REUTERS / Francois Lenoir
foto REUTERS / Francois Lenoir

Të Drejtat e Njeriut, Demokracia dhe Shteti i së Drejtës, janë vlera thelbësore për BE-në. Të ankoruara në Traktatin e saj themeltar, ato janë përforcuar gjatë adoptimit të Kartës të të Drejtave Fondamentale, më 2000. Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, më 2009,  kjo kartë u shndërrua në element juridikisht detyrues. BE synon promovimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave aktivisht, si brenda saj, po ashtu edhe në marrëdhënie me vende të tjera.

Gjatë zhvillimit të Samitit të Majit 2003, në St. Petersburg, BE dhe Rusi kanë rënë dakord, të krijojnë një hapësirë të përbashkët afatgjatë të quajtur “Hapësirë e Përbashkët mbi Lirinë, Sigurinë dhe Drejtësinë”. Dy herë në vit, në këtë kuadër zhvillohen takime midis Trojkës së BE-së (Presidenca e BE-së, Këshilli dhe Komisioni) dhe palës Ruse, të përfaqësuar në nivel ministror, ku monitorohet implementimi i kësaj ‘Hapësire të Përbashkët’.

Më 17 Maj, Bashkimi Europian dhe Federata Ruse kanë mbajtur raundin e 17-të, të Konsultimeve mbi të Drejtat e Njeriut në Bruksel, duke lejuar që BE të paraqesë shqetësimet e saj mbi zhvillimet, që prekin të Drejtat e Njeriut në Federatën Ruse.

Të dyja palët kanë diskutuar gjatë mbi situatën shqetësuese të shoqërisë civile në Federatën Ruse, në veçanti këto diskutime kanë prekur, një sërë legjislacionesh shtrënguese, që vëzhgimet e fundit kanë konstatuar, mbi bazën e ligjit për ‘agjentët e huaj’ dhe proceset në zhvillim në gjykatë.

Në këtë kontekst, BE konfirmoi qëllimin e saj për vazhdimin e ndjekjes nga afër të zhvillimeve, që prekin NGO-të, në Federatën Ruse dhe të shprehë ndërmjet të tjerave shqetësimet e saj në lidhje me vënien e gjobave, ndaj organizatës monitoruese të zgjedhjeve GOLOS dhe akuzave kundër ADC Memorial, në St. Petersburg. Rusia është shprehur e hapur për të ofruar sqarime të detajuara, për sa i përket zbatimit të këtij ligji dhe ndjekjen e këtij dialogu më në thellësi, mbi bazën e vëzhgimeve specifike me Ministrin e Drejtësisë në Moskë.

BE ngriti një sërë çështjesh që prekin të Drejtat e Njeriut në Federatën Ruse; kërkoi informacion në lidhje me impaktin e përpjekjeve të Rusisë, për të luftuar kundër torturës dhe për të promovuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë, mbi pavarësinë e gjyqtarëve dhe avokatëve sidomos në veri të Kaukazit; i bëri thirrje Rusisë të frenojë adoptimin e një legjislacioni federal mbi ‘propagandën homoseksuale’, e cila mund të rrisë diskriminimin dhe dhunën kundër individëve që i përkasin, LGBTI;  kërkoi informacion mbi disa procese juridike në vazhdim, duke përfshirë edhe persekutimin pas vdekjes së Sergei Magnitsky, gjyqin ndaj Alexei Navalny dhe situatën në lidhje me inkriminimin e personave për ngjarjen e sheshit Bolotnaya, maj 2012.

Rusia nga ana e saj, ndau shqetësimin mbi situatën e shtetasve, që nuk i përkasin BE-së dhe mbi legjislacionin, që rregullon përdorimin e gjuhëve të minoriteteve, në sistemin edukativ.

BE dhe Rusia përfituan nga mundësia e konsultimeve për të riafirmuar rëndësinë e sistemit të të Drejtave të Njeriut, si në nivel  ndërkombëtar, po ashtu edhe në nivel rajonal. Ato shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi prioritetet në vazhdim dhe diskutuan mënyra për të përmirësuar kuptimin dhe bashkëpunimin e tyre në një ambient ndërkombëtar.

Avancimi në një nivel bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh mbi çështje që kanë lidhje me gjininë, kryesisht dhunën ndaj grave, dhunën ndaj fëmijëve apo lufta ndaj korrupsionit u konsideruan si premtuese. Bashkëpunimi praktik mund të shikohet edhe në çështjet anti-diskriminuese. Në të njëjtën linjë me praktikat e ndërtuara dhe në përfshirjen e pikëpamjeve të shoqërisë civile në konsultime, BE takoi përfaqësuesit e shoqërisë civile ruse në Moskë më 26 prill dhe organizatat civile ndërkombëtare në Bruksel më 17 prill.

Raundi tjetër i Konsultimeve mbi të Drejtat e Njeriut, BE-Rusi do të zhvillohet në fund të këtij viti, 2013. BE ka rideklaruar dëshirën e saj, për zhvillimin e këtij raundi në Moskë, ku ajo mund të përfitojë nga pjesëmarrja e një serë agjencish dhe ministrish, meqenëse këto konsultime janë zhvilluar që në fillim, në Bashkimin Europian.