Vizita e kryediplomatit gjerman mund t’i japë impulse vendimtare dialogut Prishtinë-Beograd. Berlini pret nga të dy palët një zbatim konkret, përparime thelbësore dhe gatishmëri për kompromis.
Kryediplomati gjerman sapo ishte kthyer nga Algjeria, kur të dielën (19.5.) me një avion të Bundeswehr-it u nis për në Beograd. Udhëtimi është sigurisht rutinë për ekipin e stërvitur të këshilltarëve të Westerwelle-s. Edhe ministri i Jashtëm e di se vizita e shkurtër në Beograd dhe Prishtinë nuk mund të sjellë ndryshime të mëdha. E megjithatë ajo është e rëndësishme pasi mund t’i japë impulse vendimtare dialogut të ndërlikuar mes Prishtinës dhe Beogradit.
Presidenti serb flet për shantazh
Në prag të vizitës së Westerwelle-s, presidenti serb Tomislav Nikoliq në një intervistë në televizion paralajmëroi Berlinin për pritje eventuale të tij për njohje të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. Vizitën nga Gjermania ai e cilësoi “sfidë”. “Gjermania duhet të kuptojë se nuk ka asnjë dobi të na detyrojë me shantazh, të presim vetë damarët tanë apo të kryejmë vetvrasje. Ne nuk e dorëzojmë Kosovën. Parlamenti gjerman duhet të mendojë se si do të ishte vendimi nëse do të bëhej fjalë për Gjermaninë”, u shpreh Nikoliq. Ai shtoi megjithatë se është optimist.
Gjatë udhëtimit të tij për në Izrael ministri i Jashtëm gjerman mësoi për deklaratat e ashpra të presidentit serb dhe në avionin me të cilin udhëtonte për në Beograd theksoi me nëntekst ironik se i gëzohet veçanërisht bisedës me Tomislav Nikoliqin.
„Ai është i vështirë“
Me më pak populizëm i formuloi pritjet e tij politikani më i fuqishëm i Serbisë nga partia e Nikoliq-it, zv/kryeministri Aleksander Vuçiq. Ai tha se pret që të bisedohet me logjikë dhe se do t’i thotë ministrit gjerman që Beogradi e meriton caktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim.
“Ai është i vështirë, por i bën ato që thotë”. Kështu e përshkroi ministri Westerwelle bashkëbiseduesin e tij më të rëndësishëm në Beograd.
Që kimia mes dy politikanëve është e mirë, u pa edhe të dielën në mbrëmje (19.5.) në aeroportin e Beogradit. Vuçiq e përshëndeti me një përqafim ministrin e jashtëm gjerman. Para shumë gazetarëve ai tha se nga miqtë gjermanë pret mbështetje jo vetëm në rrugën drejt integrimit, por edhe në zhvillimin ekonomik. Westerwelle theksoi se vizita e tij në Beograd dëshmon vullnetin e mirë të Gjermanisë.
Zbatimi i marrëveshjes Prishtinë-Beograd
Vetëm një muaj më parë Prishtina dhe Beogradi arritën një marrëveshje që nga mediat u cilësua historike. Westerwelle pritet të diskutojë në Beograd e më pas në Prishtinë zbatimin e marrëveshjes, i cili nuk konsiderohet i sigurt. Nga njëra anë serbët në veri të Kosovës refuzojnë me këmbëngulje pranimin e marrëveshjes pasi druajnë se kështu po shkëputen institucionalisht nga Serbia dhe do të jenë në duart e ish-armikut. Beogradi përpiqet të bëjë punë bindëse por kërkon njëkohësisht që serbët në Kosovë në zgjedhjet komunale në vjeshtë të votojnë si shtetas serbë. Opozita nacionaliste dhe disa pjesë të kishës ortodokse serbe i kundërvihen marrëveshjes dhe flasin për tradhëti.
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës Thaçi ndodhet nën trysni politike. Ai duhet të japë dëshmi se serbët në veri të Kosovës hap pas hapi do të lidhen institucionalisht me Prishtinën. Çmimi për këtë, një autonomi e gjerë për serbët, për disa nacionalistë shqiptarë është shumë i lartë.
Çfarë është e rëndësishme për Berlinin?
Zyrtarisht Westerwelle do të inkurojojë Prishtinën dhe Beogradin. Jozyrtarisht ai pritet të flasë me fjalë të qarta. Berlini pret nga të dy palët një zbatim konkret, përparime thelbësore dhe gatishmëri për kompromis. Në rast të kundërt nuk ka asnjë garanci që të jetë pozitiv votimi në Bundestag në fund të qershorit, kur parlamenti gjerman do të merret me aspiratat e Serbisë dhe Kosovës për afrim me BE-në./dw/